English

PSE: Qeveria tu përgjigjet kërkesave të PS

Tiranë, 10 mars, NOA - Kryetari i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, Martin Schultz ka përshëndetur kthimin e socialistëve në Kuvend dhe shpreson që qeveria ti mundësojë opozitës transparencën për zgjedhjet e 28 qershorit.

Ky është dhe qëndrimi i Partisë Socialiste Europiane në lidhje me situatën politike në Shqipëri. Deklarata e Schultz është bërë publike sot nga zyra e shtypit të Partisë Socialiste, e cila deklaron se qëndrimi i PSE i është bërë i ditur Kryetarit të PS-së, Edi Rama gjatë takimeve që ka zhvilluar në Bruksel dje dhe sot.

"Gjatë këtyre takimeve kryetari i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, Martin Schultz, mirëpriti kthimin e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse shpreson që partitë e qeverisë shqiptare do t'i japin tashmë një përgjigje pozitive kërkesave të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshirë hapjen e kutive të votimit, për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Vetëm në këtë mënyrë një bazë e re për dialog konstruktiv, ndërmjet qeverisë dhe opozitës, në këndvështrim të forcimit të procesit të integrimit europian të vendit, mund të vendoset", thuhet në njoftimin e Partisë Socialiste.

Zyra e shtypit në PS deklaron se në datat 9 dhe 10 Mars 2010 kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Parlamentin Europian në Strasburg dhe u takua me drejtuesit e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve dhe gjithashtu mbajti një fjalim në mbledhjen e Grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.

Në takimet e tij Rama ka nënvizuar edhe njëherë faktin se Partia Socialiste pranon vendimet e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve dhe që nuk është objektivi i partisë së tij të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve. "Megjithatë, zhgënjime dhe shqetësime të sinqerta u shprehën për konkluzionet e hetimit të prokurorisë për manipulimin elektoral në fshatin Ruzhdije (qarku Fier) ku është gjetur se 70 % e votave janë manipuluar. Edhe nëse ky do të ishte një rast i izoluar i manipulimit elektoral, ky rast do të ishte sërish shumë", thuhet në njoftimin e PS-së.

Në diskutimet u nënvizua që partitë në Kuvendin e Shqipërisë duhet të marrin kohë të mjaftueshme për të arritur një zgjidhje të balancuar për krizën aktuale politike në vend. Zëvendëspresidentët e grupit Severin dhe Svoboda deklaruan dëshirën e tyre - nëse e mundur sëbashku me kolegët e tyre nga grupi PPE në Parlamentin Europian - për të vizituar Shqipërinë dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha partitë për të ndihmuar gjetjen e një marrëveshjeje për një zgjidhje të balancuar.

Gjithashtu duhet nënvizuar se disa çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë u diskutuan gjatë këtyre takimeve, përfshirë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

m.xh/NOA

KOMENTE