English

Fehmi Mujota: Imazhi i FSK, nuk është dëmtuar

Prishtinë, 12 mars, NOA - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, i tha BBC-së se nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje e mëhershme me KFOR-in dhe se "pajtimi" i të mërkurës, nuk shënon një marrëveshje e re e cila, sipas tij, riformulon aktivitetet e togut ceremonial. Mujota tha se pajtueshmëria me KFOR-in, për shkrirjen e marrëdhënieve, hap një mundësi të re për shmangien e keqkuptimeve dhe të interpretimeve të ndryshme për raste të caktuara, siç ishte më 5 Mars. Ai tha se, me rastin e fundjavës së kaluar, nuk është dëmtuar imazhi FSK-së dhe as edhe marrëdhënia e saj me forcën paqeruajtëse në vend, por vlerësoi se ka patur një nevojë për sqarime shtesë dhe bashkërendim të veprimeve mes institucioneve të Kosovës dhe komandës së KFOR-it. Ministri Mujota tha se FSK pret që të arrijë kapacitet e plota operacionale deri në vitin 2012, kur sipas tij do ajo do të marrë përgjegjësi shtesë.

Z. Mujota, çfarë ka ndryshuar pas arritjes së marrëveshjes me KFOR-in?

- Është rikthyer agjenda e plotë e punës së përbashkët me oficerët që ndihmojnë trajnimin e Forcës së Sigurisë dhe mentoruesit që i kemi vendosur në kazermat tona. Të jem shumë i saktë, agjendat në FSK nuk kanë pushuar në asnjë moment sepse kemi pasur angazhime në kapacitete të tjera të përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare. Por është shumë e rëndësishme që tani pas dy ditësh çdo gjë fillon me agjendën e plotë të punës sipas planit dhe programit.

Por ministër, a është dëmtuar imazhi dhe marrëdhënia me KFOR-in pas këtij incidenti me KFOR-in?

- Jo, imazhi i FSK-së është ai që ishte edhe para këtij vendimi dhe do të vazhdojë të jetë edhe pas vendimit për rikthimin e aktiviteteve të rregullta. Në fakt ka pasur nevojë të ketë një sqarim të përbashkët dhe bashkërendim të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të komandës së KFOR-it. Dhe mendoj se çdo gjë do të rrjedhë sipas planeve dhe programeve që kemi paraparë për vitin 2010 dhe përkrahja dhe bashkëpunimi me NATO-n dhe KFOR-in është i shkëlqyeshëm.

Ju thoni se ka patur nevojë për sqarime. Por sipas marrëveshjes së re mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, garda ceremoniale e FSK-së vihet nën kontroll të komandantit të KFOR-it.

- Jo. Në fakt togu ceremonial që bën pritje për personalitete të rëndësishme që vizitojnë Kosovën dhe për datat e rëndësishme shtetërore në orarin e vet të rregullt të punës bën edhe detyra të tjera parësore. Ndërsa për rastet e tilla bëhet një angazhim shtesë dhe Ministria e vë në dispozicion për këto raste nëse ka kërkesë nga protokoli shtetëror. Edhe më tutje togu ceremonial do të kryejë detyrat e veta ashtu siç i ka pasur të përcaktuara më herët, por tani do të ketë një bashkërendim më të mirë për rastet e tjera kur ka të bëjë me çështjet që duhet të jetë i njoftuar edhe komandanti i KFOR-it dhe gjithë aktorët ndërkombëtarë, që për ne nuk është një vështirësi, por përkundrazi është një bashkërendim shtesë për të pasur suksese edhe më tutje.

Kjo ishte një marrëveshje e re. Por çfarë ka ndryshuar nga marrëveshjet e tjera të mëhershme ajo?

- Nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje e mëhershme dhe as kjo nuk është një marrëveshje e re që riformulon aktivitetet e togut ceremonial. Por ajo vetëm hap mundësinë që të mos ketë ndonjë keqkuptim dhe interpretime të palëve në mënyrë të ndryshme për një aktivitet të caktuar, të jemi më të saktë sikur ishte rasti me 5 Mars. Kjo mendoj se vetëm mundëson që të gjithë të marrin vendimin në momentin e duhur, në kohën e duhur dhe mënyrën e drejtë pa pasur mundësi të keqinterpretimeve ose dëmeve në koncept.

Pra ju e quani keqinterpretim atë që ka ndodhur gjatë ditëve të kaluara?

- Në fakt thelbi i krejt thelbi i shpjegimit dhe sqarimit edhe e dëshmon këtë sepse të gjithë tani e dinë se është e nevojshme që aktivitetet qeveritare dhe ato shtetërore të kenë përkrahjen e FSK-së në agjendat që parashihen dhe kështu do të ndodh edhe në të ardhmen. Këtë rast nuk do të duhej ta shfrytëzojmë askush nga palët, do të thoja nga palët kushtimisht, që të duket se ka çuar përpara vendimin e vet ose ka ngelur diçka prapa. Të gjitha palët jemi në agjendën e plotë dhe bashkëpunimi vazhdon normalisht.

FSK-ja nuk është Ushtri e Kosovës, apo jo?

- FSK-ja është forcë të cilës ia përcakton mandatin Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Kosovës. Ne jemi të përqendruar që të arrijmë kapacitetet e plota operacionale gjatë vitit 2012 dhe më pas do të ketë, sigurisht, vendime të tjera të niveleve politike për marrjen e përgjegjësive shtesë, të cilat është normale t'i marrë FSK-ja pas arritjes së kapaciteteve të plota. Por tani jemi të përqëndruar në këtë angazhim dhe besoj se jemi në rrugën e duhur për të arritur kapacitetet brenda vitit 2012 në përkrahjen e plotë të NATO-s dhe edhe më tutje vendimet do të jenë të përbashkëta me Brukselin, varësisht prej gjendjes në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Por jemi të bindur se kjo rrugë është e pashmangshme që avancimi i FSK-së të ndodh në kohën e duhur.

Por kjo që ka ndodhur, a mund të zgjasë periudhën e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale për FSK-në?

- Jo. Kjo është një çështje krejtësisht teknike në raport me nivelin e bashkëpunimit pastaj me angazhimet e përcaktuara për vitin 2010, 2011 dhe 2012. Kjo nuk është asnjë pengesë që të gjitha vendet të japin kapacitetin e plotë për të arritur nivelin që të gjithë e presim dhe ai nivel do të jetë që në vitin 2012 FSK-ja të marr përgjegjësi shtesë.

BBC

KOMENTE