English

Kapet arsenal armësh dhe 2.5 kg drogë

Tepelenë, 15 mars, NOA - Tre armë zjarri, 2.5 kilogramë marijuanë dhe një sasi municioni luftarak është bilanci i sekuestrimeve të kryera nga forcat e policisë së Tepelenës në kuadrin e operacionit të koduar "Bashkëpunimi".

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dijeni se është mundësuar edhe arrestimi në flagrancë i tre personave që e dispononin këtë sasi lënde narkotike dhe municioni luftarak.

Konkretisht, ata janë Nertil Guci, 26-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Maricaj të Tepelenës; Baftjar Guci, 67-vjeç dhe Ervis Tringa, 23-vjeç; që të tre lindur dhe banues në fshatin Maricaj të Tepelenës.

Arrestimi i tyre u bë për arsye se gjatë kontrolleve në banesat e tyre ka rezultuar se ata dispononin lëndët dhe armët e lartpërmendura.

Kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Nertil Gucit është gjetur një sasi prej 2.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë, e cila ishte e paketuar në dy qese plasmasi dhe futur në një çantë shpine, si dhe një armë zjarri çifte pa leje.

Kontrolli ka vijuar më tej në banesën e Baftjar Gucit, ku është gjetur një armë luftarake model 56 kallashnikov dhe një krehër me 20 fishekë model 56.

Pas këtij kontrolli, policia ka arrestuar në flagrancë rreth 500 metra larg banesës së tij edhe Ersiv Tringën me një pushkë 10-çe, i cili e kishte nxjerrë nga banesa për ta fshehur nga frika e policisë.

Nga kontrolli që iu bë më pas në banesë këtij personi, iu gjetën dhe iu sekuestruan edhe 230 fishekë pistolete.

Nga ana e policisë u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 3 armëve të zjarrit , municioneve luftarake si dhe i lëndës narkotike.

Nertil Guci gjendet nën akuzën për veprën penale "Prodhim dhe shitje e narkotikëve", si dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë", vepra këto të parashikuara nga nenet 280 dhe 283 të Kodit Penal, ndërsa ndaj dy të tjerëve rëndon akuza për veprën penale "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve", parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE