English

Topalli: Gjermania, mbështetje për vizat

Berlin, 16 mars, NOA - Në kuadrin e përpjekjeve diplomatike për të siguruar sa më shumë mbështetje për Shqipërinë brenda Bashkimit Evropian mbi heqjen e vizave, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, ia ka kërkuar një gjë të tillë Gjermanisë, përmes homologut të saj, Norbert Lammert.

Kështu, në udhëtimin e saj për një vizitë zyrtare në Suedi, gjatë ndalesës në Berlin, Topalli u prit në Busdestag nga kryeparlamentari Lammert i cili i shprehu kënaqësi dhe interes të veçantë për zhvillimet në Shqipëri.

Ndërsa i bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, Topalli i paraqiti kryeparlamentarit gjerman reformat që ka ndërmarrë qeveria në drejtim të plotësimit të detyrimeve në proceset integruese.

Ajo u ndal edhe në punën e parlamentit dhe në numrin e madh të ligjeve të reformave të kaluara këto muajt e fundit, si një plotësim i kushteve që Bashkimi Evropian kërkon për Shqipërinë.

Por në bisedën e gjatë me Lammert, Topalli u përqendrua kryesisht në angazhimin e plotë e serioz të instutucioneve shqiptare për heqjen e vizave si një objektiv të cilit sipas saj, i ka ardhur koha për t'u vënë në jetë.

E në kuadrin e kësaj, Topalli shprehu shpresën dhe besimin se Gjermania sërish do ta mbështesë Shqipërinë në heqjen e vizave për qytetarët e saj.

n.e/NOA

KOMENTE