English

Opozita ruse fillon protestat anti-Putin

Moskë, 17 Mars - Disa mbështetës të një peticioni ‘online', që bën thirrje për largimin e kryeministrit rus, Vladimir Putin, do të mbajnë një tubim në Moskë, nën sloganin "Putin duhet të shkojë". Peticioni i shfaqur në internet më datën 10 mars, akuzon ashpër sundimin 10-vjeçar të Putinit dhe ka tërhequr më shumë se 10 mijë firma, që e mbështesin. Në mes të atyre që u janë bashkëngjitur emrave për largimin e Putinit, janë: ish-kampioni botëror i shahut, Garri Kasparov, ish-zëvendëskryeministri Boris Nemtsov dhe aktivistë të shquar të të drejtave të njeriut, si: Jelena Noner, Ludmilla Aleksejeva dhe Lev Ponomariov.

Ish-zëvendëskryeministri rus, Nemtsov, thotë për Radion Evropa e Lirë se opozita duhet t'i lërë mënjanë sloganet boshe dhe të vërë gishtin mbi ata që mendon se kanë sjellë përkeqësimin e situatës në Rusi. "Ne duam zgjedhje të ndershme në vend. Duam konkurrencë politike. Ne duam që vendi të ketë një parlament, ku do të zhvillohen diskutime. Dhe, ne duam ndryshimin e autoriteteve". "Mendoj se protestat do të rriten dhe do të vijojnë të rriten, pavarësisht se ç'lloj letrash janë dërguar kudo", thotë Nemtsov. Analisti politik në Moskë, Aleksei Makarkin, mendon se fokusi radikal i opozitës mbi Putinin është një gabim strategjik. "Shikoni, në çdo anketë sociologjike, rezultatet janë të njëjta. Besimi ndaj Qeverisë është i lartë. Rusët i tremben ndryshimit. Rusët duan që të mbetet kryeministri aktual". "Ata ankohen për burokratët, por shumica e tyre nuk duan shkarkimin e kreut të Qeverisë", thotë Makarkin, për të shtuar se strategjia e opozitës duket sikur mbështetet në shpresën se besimi i publikut ndaj Putinit do të rrëzohet. Më 16 mars, shkrimtari Nikolai Starikov postoi ‘online' peticionin e tij në mbështetje të Putinit. Deri më tani, peticioni mblodhi rreth 3 mijë emra. Në faqen e internetit të shkrimtarit Starikov deklarohet se është një përpjekje për t'u afruar rusëve një zgjedhje dhe se peticioni anti-Putin u krijua nga njerëz që idealizojnë Mikail Gorbaçovin dhe Boris Jeltsinin - dy njerëz që urryen Stalinin. Një anketë e kryer nga qendra Levada nxori se 46 për qind e njerëzve besojnë se Rusia ka nevojë për një shtet të vetëm, të centralizuar me krerë të qeverisë lokale, të emëruar nga qendra. I njëjti sondazh zbuloi se 62 për qind e rusëve besojnë në vetvete dhe kërkojnë që t'i shmangin kontaktet me autoritetet dhe 77 për qind e tyre nuk duan të rrisin nivelin e tyre të veprimtarisë politike. /rfe/

KOMENTE