English

Meta: Rama nuk synon të hapë kutitë por të prishë imazhin e vendit

Meta: Ligji i ri për SHISH s'do votohet pa u konsultuar me ndërkombëtarët

Tiranë, 22 Mars NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta foli sot për gazetarët mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe tha se komisioni hetimor për zgjedhjet mund të funksionojë, kurse akuzoi opozitën dhe liderin e saj Edi Rama se ka zgjedhur një politikë destruktive e cila tha se synon të dëmtojë sa më shumë imazhin e vendit, dhe se "nuk synon të hapë kutitë".

Sipas Metës, po të ketë vullnet për të hapur kutitë, është bërë e qartë që mund të ndiqet rruga përmes Prokurorisë, si institucion i pavarur, dhe që ka të gjitha përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për ta bërë këtë gjë.

"Në rast se duan që Parlamenti të hapë kutitë, duhet t'i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që ta konfirmojë këtë mundësi, madje mund t'ia kërkojnë edhe Komisionit të Venecias", - sugjeroi z.Meta.

Ai theksoi se mazhoranca ka pranuar prej kohësh që t'i japë shumicën opozitës në një Komision hetimor parlamentar, madje edhe drejtimin e këtij Komisioni.

"Mazhoranca ka pranuar që për çështjen e hapjes së kutive të merret mendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë çështje Partia Socialiste t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, madje mazhoranca ka pranuar që t'i drejtohet edhe Komisionit të Venecias, dhe sikurse ju e dini, këto nuk janë pranuar nga opozita gjoja e interesuar për hapjen e kutive", - ritheksoi z.Meta.

Po kështu, Meta përmendi dhe nismën më të fundit të Kryeministrit Berisha për të mbështetur Prokurorinë, në mënyrë që ajo të ketë kapacitet e duhura njerëzore, pra me fonde, "pasi këto gjëra i zgjidh vetë Prokuroria që është e pavarur nga Qeveria, në mënyrë që ajo të ketë një task-force vetëm për hetimin e zgjedhjeve, sipas pretendimeve që ngre, apo mund të ngrejë Partia Socialiste".

"Pra është e qartë se nga ana e mazhorancës janë bërë të gjitha lëshimet e duhura dhe janë krijuar të gjitha mundësitë, të cilat kanë të bëjnë me një rol konstruktiv të opozitës për të verifikuar pretendimet e saj", - sqaroi Meta.

e.r/NOA

KOMENTE