English

Në 175 institucione maqedonase, asnjë i punësuar shqiptar

Shkup, 22 mars, NOA - Punësimet gjatë vitit të kaluar në Maqedoni shfaqin një diskriminim të shqiptarëve nëpër institucionet e tjera shtetërore, përveç sekretariatit për implementimin e marrëveshjes së Ohrit.

Në të gjitha institucionet e tjera shqiptarët janë të punësuar në mënyrë simbolike, ndërsa punësime masive dhe të mbingarkuara janë bërë të maqedonasve, ku është shkelur edhe parimi i rritjes së përfaqësimit të numrit të shqiptarëve në kuadër të institucioneve shtetërore.

Punësimet në kabinetin e presidentit të ri, në parlament, Avokati i Popullit, Sekretariatin e Përgjithshëm të qeverisë, si dhe në disa ndërmarrje publike favorizojnë kuadrot dhe kandidatët maqedonas.

Punësime të reja në kabinetin e presidentit, Gjorgji Ivanov, gjatë vitit të kaluar janë realizuar duke favorizuar serbët para maqedonasve, ashtu që nga 27 të punësuar të rinj, 85.2 përqind janë maqedonas, 11.1 përqind shqiptarë dhe afër 4 përqind serbë.

Deri tani, nuk ekziston ndonjë shifër reale sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, edhe pse Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti ka zbardhur disa shifra alarmante rreth përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Sipas raportit të tij, në 175 institucione nuk ka asnjë të punësuar shqiptarë ndërsa në 100 institucione nuk ka asnjë të punësuar të bashkësive jo shumicë.

Avokati i Popullit ka kumtuar se një numër i madh i institucioneve fshehin shifrat e përfaqësimit të komuniteteve etnike në Maqedoni.

Nga ana tjetër, sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, udhëheq me punësimin dominant të shqiptarëve, edhe atë mbi 90 përqind shqiptarë të pranuar nga rreth 1000 kandidatë të pranuar në kuadër të përfaqësimit adekuat nëpër institucionet e shtetit.

NOA-INA

KOMENTE