English

Panairi i Librit në Lajpcig, mungoi Shqipëria dhe Kosova

Lajpcig, 23 mars, NOA - Panairi i librit në Lajpcig ka një afinitet të madh ndaj Ballkanit, por botuesit shqiptarë i qëndrojnë larg. E vetmja stendë me libra në gjuhën shqipe, ishte ajo e republikës së Maqedonisë, ndwrsa Shqipëria dhe Kosova mungonin.

Por nuk mungonin letrarët shqiptarë. Përfaqësuesi i parë i letërsisë shqipe ishte shkrimtari me origjinë nga Kosova e që jeton në Shtutgart të Gjermanisë, Beqë Cufaj, me një ese me titull "Kultura e Urrejtjes", prezantuar në ciklin "Cafe Europa", krahas shkrimtares Ulrike Draessner dhe autores dhe përkthyeses austriake, Andrea Grill.

Fejtonisti i gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" do të moderonte më vonë edhe disa debate të tjera për letërsinë ballkanike, ndër to edhe prezantimin e korrespondencës ndërmjet autores gjermane Kathrin Roeggla dhe dramaturgut Jeton Neziraj, me titullin Pizza "Unmik".

Panairi i Lajpcigut është i dyti për nga rëndësia në Gjermani, pas atij të Frankfurtit që zhvillohet në vjeshtë dhe është më i madhi në botë.

Por ky nuk është dallimi i vetëm. Ndërsa Frankfurti konsiderohet si panairi i botuesve, aty nënshkruhen kontratat dhe lidhen marrëveshjet, ai i Lajpcigut është panairi i publikut. Përveç kësaj, Evropa Lindore dhe Juglindore është vazhdimisht në fokus të tij.

Nata Ballkanike - Pika kulmore

Një nga pikat kulmore të panairit është "Nata Ballkanike", që mbahet të shtunave, në një sallë kinemaje.

Ajo çka të bie në sy është rritja e dukshme e interesit të publikut për letërsinë ballkanike, sepse salla, megjithëse ishte zgjedhur më e madhe se një vit më parë, ishte e mbushur plot dhe një pjesë e publikut ishte detyruar të ulej përtokë.

Sivjet, autorë të ndryshëm nga vendet e Ballkanit, ndërmjet tingujve muzikorë të grupit nga Maqedonia "Bakllava", për katër orë rresht prezantuan pasazhe nga veprat e tyre letrare të shoqëruar edhe me ndonjë batutë, për të sjellë publikun në humor. Këtë e arriti padyshim Jeton Neziraj, që do të shprehte befasinë për pasionin gjermanëve për të lexuar: "Po këtë e kuptova edhe në ambasadën gjermane kur kërkova një vizë. Më kërkuan nja 50 dokumente, ndër to edhe një ku duhej të deklaroja që jam i gjallë".

Të qeshura shpërthyen në sallë dhe Jeton Neziraj do ta justifikonte kështu prezantimin që i kishte bërë më parë përkthyesja kroate Alida Bremer, si një letrar me sens të madh humori.

Edhe shkrimtari shqiptar Ben Blushi do ta ruante ritmin e humorit tek publiku me deklarimin e tij në gjermanisht "Unë nuk jam as i sëmurë, e as mysliman", një citat paksa i modifikuar ky, marrë nga romani i tij i suksesshëm "Të jetosh në ishull".

Blushi, që vetë është me prejardhje të krishterë, trajton në romanin procesin e konvertimit të shqiptarëve gjatë pushtimit osman. Personazhi kryesor i romanit kthehet në shtëpi atë ditë që ishte konvertuar në mënyrë shumë spontane, por ishte paksa i emocionuar dhe kur e pyet e shoqja se çfarë kishte, mos nuk ndjehej mirë, ai përgjigjet: "Jo, nuk jam sëmurë, jam mysliman".

"Tani ne e dimë se përse ky roman në Shqipëri është një nga librat më të shitur", do të komentonte Bremer mbas leximit të pasazhit të shkurtër të përkthyer me mjeshtëri nga albanologja Zuzana Finger.

Poezi shqipe në stendën kroate

Shkrimtarët shqiptarë nuk mungonin në panairin e librit në Lajpcig: Falë angazhimit të palodhshëm të përkthyeses Alida Bremer dhe fondacionit S. Fischer, falë edhe mbështetjes financiare të fondacionit Robert-Bosch dhe ministrisë së punëve të jashtme gjermane, falë shtetit kroat që kishte ftuar Ali Podrimjen të lexonte poezitë në stendën e vet.

Lind pyetja: Përse jo në stendën kosovare? Përse jo në atë të Shqipërisë? Përgjigja është e thjeshtë: Sepse as Shqipëria e as Kosova nuk kanë marrë pjesë kurrë në këtë panair, një fakt ky që çudit jo vetëm ndonjë shqiptar të zhgënjyer, por tashmë edhe organizatorët e panairit, i cili ka një afinitet shumë të madh me letërsinë e Evropës Juglindore.

Këtë afërsi e dëshmon fakti që vendet e Ballkanit shumë shpesh kanë qenë në fokusin special të tij: Në vitin 2007 ishte Kroacia, vitin e ardhshëm do të jetë Serbia. "Një ditë do t'i sjellim edhe shqiptarët", premton e vetësigurt Alida Bremer. Ndoshta nuk do të ishte keq, që botuesit shqiptarë ta bënin vetë hapin e parë drejt këtij panairi kaq mikpritës ndaj tyre.

DVelle

KOMENTE