English

Ligji për Varrezat Greke, Zv/Kryeministri Meta flet me ministrin grek Droutsa

Tiranë, 26 Mars NOA - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta zhvillon një bisedë telefonike me z. Dhimitris Droutsa, ministër plotësues i Jashtëm, i thanë agjencisë së lajmeve NOA burime nga MPJ. Zyrtarisht MPJ shqiptare nuk e publikoi lajmin, kurse biseda u konfirmua nga qeveria greke.

Konfirmohet se biseda mes dy palëve është zhvilluar sot paradite dhe ka pasur në epiqendër ligjin që miratoi Parlamenti shqiptar për Varrezat Greke.

"Z. Droutsas, në bisedën telefonike që kishte sot me ministrin e jashtëm Ilir Meta, shprehu kënaqësinë e tij e palës greke për ratifikimin e djeshëm nga Kuvendi i Shqipërisë të "Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Qeverisë së Republikës Greke dhe Kabinetit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për eksplorimin, gërmimin, identifikimin e varreve të grekëve që ranë në operacionet luftarake ushtarake në Shqipëri gjatë Luftës greko-italiane në vitet 1940-1941 dhe ndërtimi i varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë për varrimin e eshtrave, marrëveshje, e cila u nënshkrua në Tiranë më 9 shkurt 2009", - I detajuan agjencisë NOA, burimet nga MPJ Shqiptare dhe ajo greke.

Kjo marrëveshje është ratifikuar nga parlamenti grek (Ligji 3782/2009) dhe tani mund të hyjë në fuqi.

"Ne jemi gati për të filluar menjëherë implementimin e Marrëveshjes së arritur dhe në bashkëpunim me palën shqiptare, t'i japim zgjidhjen një çështjeje të një natyre humanitare dhe rëndësie historike për popullin grek dhe të nderojmë të rënët heroikisht për vendin e tyre",. - ka deklaruar z.Dhroutsas në bisedën me z.Meta.

Burimet nuk konfirmuan nëse mes dy diplomatëve është folur mbi Skandalin në Greqi ku Forcat Speciale në paradë zyrtare hodhën parullat: Shqiptarëve do t'u derdhim gjakun, me lëkurën e tyre do qepim rrobat tona.

***

Në seancën plenare të ditës së enjte, Kuvendi ka miratuar në parim një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila ndërtimin e dy varrezave të reja greke në Gjirokastër dhe Këlcyrë.

Por ajo nuk u përkrah nga të gjithë deputetët e mazhorancës, disa prej të cilëve guxuan edhe dolën kundër saj, duke lejuar miratimin e saj vetëm me 66 vota pro, ndërsa votat kundër ishin 4 dhe pati edhe një abstenim.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Unitet në parlament, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, e kanë kundërshtuar në fjalimet e tyre marrëveshjen e lartpërmendur, duke pohuar se "votimi për varrezat greke duhet shtyrë derisa Greqia të plotësojë kërkesat minimale të çamëve".

"Pse ka kaq shumë varreza, kur autoritetet nuk kanë lejuar të diskutohet statusi i ushtarëve grekë, a ishte ajo një ushtri pushtuese?", aluduan ata ndër të tjera.

e.n/e.r/NOA

KOMENTE