English

MPJ: Incidenti i ushtarëve grekë, akt skandaloz dhe i dënueshëm

{youtube}hslGF-0KRqI{/youtube}

Tiranë, 26 Mars NOA - Lajmi që publikoi sot ekskluzivisht Agjencia NOA mbi skandalin e ushtarëve në Greqi dhe që më pas u shfrytëzua nga të gjitha mediat shqiptare dhe të huaja, e ka analizuar Ministria e Jashtme duke lëshuar pak minuta më parë dhe një deklaratë zyrtare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, tha sonte se pasi u njoh me këtë lajm me aktin e rëndë të datës 25 mars, ku gjatë një parade zyrtare me rastin e festës së Republikës së Greqisë, disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj, është i autorizuar të deklarojë se Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta e dënon incidentin e ushtarëve grek dhe e konsideron atë një akt skandaloz dhe të dënueshëm.

Zoti Ilir Meta, nënvizon Zëdhënësi, insiston në domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe thekson se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme shpreh indinjatën e thellë për ngjarjen e rëndë e cila vjen në kundërshti të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, bën të ditur Zëdhënësi i MPJ, vlerëson gatishmërinë e autoriteteve greke për tu distancuar nga kjo ngjarje skandaloze dhe mirëpret angazhimin e menjëhershëm dhe konkret nga ana e tyre për tu dhënë autorëve ndëshkimin e merituar, jo thjesht dhe vetëm për të dënuar autorët e ngjarjes së rëndë, por që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

e.r/NOA

Ekskluzive NOA - Shkarkohen në grup dhe shkojnë për ndjekje penale Forcat Speciale që klithën: "Shqiptarëve do t'u derdhim gjakun"

Paralajmërohet valë reformash në Ushtri, flet Ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve Mihalis Hrisoidhis: Ngjarje e rëndë në kremtimin e festës zyrtare. SYRIZA kërkon

Athinë, 26 Mars NOA - Shkarkohen dhe shkojnë për ndjekje penale Forcat Speciale të Misionit të Njësisë Zhytëse të Rojës Bregdetare të Marinës Luftarake Greke, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Vendimin e bëri të ditur pasditen e sotme, Ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve Mihalis Hrisoidhis. Ai pohoi se "të tillë njerëz që shprehin urrejtje dhe racizëm nuk kanë vend në forcat ushtarake greke".

Për më tepër, ministri ka paralajmëruar një valë reformash në ushtrinë greke kur tha se tani duhet të shihet me kujdes çdo sinjal urrejtjeje dhe racizmi në çdo shprehje dhe ka theksuar: "Këta zotërinj nuk kanë vend në forcat ushtarake greke".

Duke folur mbi ngjarjen e rëndë, Hrisoidhis tha gjithashtu: "Unë theksoj me forcë se qëndrime të tilla nuk kanë vend në asnjë nga njerëzit me uniformë që janë betuar për Kushtetutën dhe ligjet e shtetit".

"Askush nuk ka të drejtë të nxijë punën e institucionit dhe kremtimin e një dite të kujtesës historike duke hedhur parulla raciste, urrejtjeje dhe ksenofobie", - vijoi Ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve, Hrisoidhis.

"Natyrisht, - vijoi ai, këtu ngrihen pikëpyetje të rëndësishme në lidhje me nivelin e arsimit por edhe të prototipave të rrezikshëm që qarkullojnë në trupat tona ushtarake që merren me sigurinë e vendit tonë", - deklaron më tej ministri Hrisoidhis.

Duke përfunduar, ministri kërkoi që mediat dhe opinioni publik të ndajë këta elementë me tërësinë e trupave ushtarake të Greqisë duke theksuar se nuk duhet bërë përgjithësim.

Sakaq, Ministria për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Roja Bregdetare dolën me një reagim zyrtar pak minuta më parë lidhur me skandalin e Forcave Speciale duke pranuar se ishin forcat e saj që u përfshinë në këtë ngjarje të rëndë antishqiptare dhe identifikuar edhe ushtarakun e lartë që i priu parullave raciste antishqiptare.

"Lidhur me slogane raciste, të shprehura dje më 25 mars nga një grup i Rojës Bregdetare me uniformë, gjatë paradës ushtarake për të festuar përvjetorin e Festës Kombëtare, njoftojmë vendimin se shefi i OS (Rojet Bregdetare), Zëvendës-admirali z. Athanasios Bousiou, urdhëroi fillimin e hetimeve administrative nga zyrtarë të saj për të identifikuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes", - thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Ministria për Mbrojtjen e Qytetarëve, raporton korrespondenti i Agjencisë NOA.

"Ndërkohë në dispozicion të hetimit është vendosur një Zyrtar i Shërbimit të OS, i cili është kreu i togës së Forcave Speciale të Njësive Zhytëse për Misione Shpëtimi, (Njësia OS) i cili ka marrë pjesë në paradë", - përfundon deklarata zyrtare.

Nis hetimi nga autoritetet greke për thirrjet antishqiptare

Kush e mban topin e përgjegjësisë për parullat raciste në paradë më 25 mars

Irritim ka provokuar video që publikoi sot agjencia e lajmeve NOA me pamjet shokuese ku Forcat Speciale greke bënin thirrje me parulla raciste në festën Kombëtare greke dje më 25 Mars 2010. Thirrjet erdhën pak orë para se në Parlamentin shqiptar të miratohej ligji për varrezat e ushtarëve grekë ku mazhoranca aktuale për herë të parë u ça duke pasur disa vota kundër.

Video amatore tregon qartazi parullat raciste në paradën festive në qendër të Athinës.

Lidhur me këtë ngjarje kanë nisur reagimet e para. Zyrtarë të Marinës Luftarake Greke deklaruan se Forcat Speciale të Reparteve të Zhytjes që u konstatua të lëshonin thirrjet raciste, nuk ishin pjesë e tyre.

Ndërkohë Kapiteneria Detare as ka mohuar dhe as ka konfirmuar nëse janë efektiva të saj.

Marina po ashtu deklaroi se veç gjashtë radhëve me forca speciale të tyre, gjendeshin edhe dy skuadra me katër rreshta forcash speciale të cilët kishin helmeta të ndryshme nga ato të njerëzve të Marinës.

Nga ana e Rojës Bregdetare Greke sakaq ende nuk ka asnjë reagim zyrtar, por mësohet se po hetohet për të parë nëse burrat burra e saj, thërrisnin parulla raciste në ditën e paradës kombëtare.

Në videon që shihni, Forcat Speciale shihen teksa parakalojnë në paradë, në rrugët "Panepistimiu" (Rruga Universitare", duke përshkuar më tej rrugën "Santaroza" dhe atë "Agjiu Konstandinu" ("Shën Konstandini". Korrespondenti i agjencisë NOA sqaron se Forcat Speciale të Ushtrisë greke, (ΟΥΚ), zhvilluan paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit në kuadrin e festës kombëtare.

Ndërkohë që parakalonin sipas procedurës, ka shpërthyer mes tyre kënga ""Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar, o derr shqiptar", që në greqisht, u këndua me rimë, kështu: "Elinas gjeniese, dhen gjinese pote, to ema su tha hisume, guruni Alvane, guruni alvane".

Këto dhe të tjera thirrje rrënqethëse, të denja për filma horror, u dëgjuan dje në mes të Athinës.

Thirrjet e frikshme erdhën pikërisht kur Forcat Speciale sapo përshkuan zonën e Sintagma (Kushtetueses) dhe "trimat" u afruan në rrugët "Panepistimiu" dhe "Agjios Konstandinos", nisën të klithnin për kasaphanë ndaj fqinjëve të Greqisë, duke mos kursyer shqiptarët, turqit dhe shkupjanët, siç i njohin qytetarët e FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), raporton korrespondenti i Agjencisë NOA. Dhe duke vendosur kështu "mes vedi" se kush ka të drejtë të quhet grek dhe kush jo.

Thirrja tjetër e këngës horrore, ishte: "Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën edhe kryqin", që në greqisht, u dëgjua kështu: "Tha gjini makeljo, meta tha ekdhikitho, otan tha proskinisete, simea ke stavro".

Më tej sikundër dëgjohet dhe shihet dhe në pamjet video që ju keni pranë këtij raporti nga Athina, vijuan dhe frazat për ne shqiptarët dhe për fqinjët e tjerë: "U thonë shkupjanë, u thonë shqiptarë, rronbat e mia do të qep me lëkurën e tyre", që në greqisht, e klithën kështu: "Tus lene skopjanus, tus lene alvanus, ta ruha mu tha rapsod me dhermat'ap'aftus".

Dëshmitarët treguan se thirrjet u përkrahën edhe nga njerëz të politikës greke të cilët ndoqën paradën ushtarake së bashku me qytetarët grekë.

"Një prej funksionarëve, u priu Forcave Speciale duke thirrur ai i pari dhe më pas i linte radhën komandove".

E gjitha kjo ndodhi ndërkohë që parada ndiqej në rrugë nga familjarë emigrantë që ishin mbledhur me dhjetëra, pjesa më e madhe e tyre, shqiptarë, të cilët shumë prej tyre shtruan pyetjen: "Pse kaq urrejtje ndaj nesh".

Duke folur mbi këtë ngjarje, përfaqësues të Marinës Luftarake thanë se drejtues të OYK që panë videon, nuk identifikuan asnjë funksionar apo ushtarak të lartë tek burrat që drejtonin thirrjet raciste.

Më shumë: Skandal në Greqi, Forcat Speciale në paradë zyrtare: Shqiptarëve do t'u derdhim gjakun, me lëkurën e tyre do qepim rrobat tona

n.s/e.r/NOA

KOMENTE