English

Leonardo kërkon fitoren për të qëndruar

Milano, 28 Mars NOA - Tekniku i Milani braziliani Leonardo nuk ka arritur dot të marrë rezultate pozitive në ndeshjet e fundit të ekipit të tij ku i ishte dhënë mundësia për të kaluar dhe në kryesimin e Kampionatit Italian.

Për këtë gjë në ditët e fundit ka patur një polemikë midis tij dhe drejtorit të përgjithshëm të kuq e zinjve, Adriano Galiani.

Leonardo ka përgënjeshtruar menjëherë këto zëra duke pohuar se midis tij dhe Galianit nuk ka asgjë për të polemizuar, pasi deklarata e tij sipas teknikut brazilian është keq interpretuar.

Tashmë mund të themi se pozicioni i tij në rolin e trajnerit nuk është më i sigurt dhe për këtë gjë Leonardo duhet të marrë patjetër një fitore me ekipin e Lazios, në sfidën e ardhshme që do të ketë skuadra e tij në fundjavë.

Ai është mjaft i vetëdijshëm për këtë situatë dhe vetë ka deklaruar se kërkon të fitojë për të vazhduar aventurën e tij tek Milan por, gjithashtu e ka minimizuar këtë problem duke shtuar se e ardhmja e një trajneri nuk varet vetëm në një ndeshje.

Tashmë për Leonardon tetë ndeshjet e mbetura të Seria A do të jenë të gjitha teste mjaft të vështira, të cilat ai duhet ti kalojë me sukses.

r.b/NOA

KOMENTE