Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Të pashqetësuar në sheshin Skënderbej
English

Të pashqetësuar në sheshin "Skënderbej"

Kemi me një ambicie që është ambicia për ta kthyer këtë shesh, jo vetëm si një vend ku jehon historia e këtij qyteti, por edhe si një pasqyrë të një shekulli të ri, si një hapësirë për të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, apo për të gjithë ata që do ta vizitojnë këtë qytet, të pashqetësuar nga makinat

Nga Edi Rama*

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

Ky është projekti më i madh dhe më i ndërlikuar që Bashkia e Tiranës ndërmerr të realizojë, pas një ecurie shumë të gjatë për të ardhur deri këtu, një plani të përgjithshëm të qendrës, një konkursi të veçantë për sheshin "Skënderbej", me një projekt fitues që ka ngjallur interes në të gjitha qarqet e arkitekturës ndërkombëtare dhe është publikuar në disa raste jashtë Shqipërisë, me një financim bujar të Emirit të Kuvajtit, pa të cilin do të ishte ende e pamundur ndërmarrja e rrugës së realizimit, me një kompani si "Mak - Albania" dhe me një supervizion austriak, për të garantuar cilësinë maksimale të kësaj pune dhe me një ambicie që është ambicia për ta kthyer këtë shesh, jo vetëm si një vend ku jehon historia e këtij qyteti, por edhe si një pasqyrë të një shekulli të ri, si një hapësirë për të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, apo për të gjithë ata që do ta vizitojnë këtë qytet, të pashqetësuar nga makinat.

Dua të nënvizoj se bëhet fjalë për një projekt, siç e thashë, shumë të ndërlikuar, pasi do të ketë një infrastrukturë nëntokësore të papërdorur ndonjëherë më parë në Shqipëri, do të ketë njëkohësisht një infrastrukturë ujore e cila do të shërbejë për ta kthyer sheshin, sipas dëshirës dhe rasteve të caktuara në një shesh me shatërvanë të lartësive të ndryshme ose në një shesh pa asnjë pikë ujë. Kjo do të varet nga mënyra se si do të administrohet. Dua të theksoj se uji që do të përdoret për ta lagur, për ta zbukuruar sheshin, për të krijuar mundësi për lojra të fëmijëve gjatë verës me ujin, nuk do të jetë ujë i pijshëm, por do të jetë ujë shiu. Këtë ujë shiu do ta grumbullojë vetiu sheshi, falë infrastrukturës së posaçme nëntokësore dhe ajo që është më e rëndësishmja, ky do të jetë një shesh i qytetit dhe i qytetarëve, pa makina, i rrethuar nga një kurorë e gjelbër që do ta realizojmë përmes pemëve të shumta që do të mbjellim në të gjithë perimetrin e tij, duke e kthyer në një oaz për të gjithë ata që do të duan të jenë në mes të Tiranës, por larg trafikut të Tiranës.

Dua t'u bëj të ditur qytetarëve se kompleksiteti i projektit kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, sepse pa dyshim, trafiku i cili do të devijohet, do të ketë vështirësitë e veta. Duhet durim, duhet mbështetje, me bindjen se pas një periudhe jo të lehtë për shkak të punimeve intensive, por shumë të gjera që do të kryhen në shesh, do të kemi sheshin që të gjithë kemi dëshiruar për vite e vite me radhë.

Dua t'i falenderoj sot arkitektët belgë të studios 51N4E, fituesit e konkursit, të cilët na kanë vënë në dispozicion një projekt që me plot gojën, unë e konsideroj fantastik dhe dua të shpresoj që do të kemi edhe mbështetjen e nevojshme të të gjithëve për të bërë të mundur që kjo punë të përfundojë sa më shpejt dhe që sheshi të bëhet sa më shpejt i qytetarëve, duke e mbyllur në një kohë sa më të arsyeshme këtë kantier që ne e hapëm sot dhe ku sigurisht, do të shprehja dëshirën e të gjithëve që të zgjidhim edhe problemin e shpronësimeve tek godina e "Insig"-ut, duke bërë të mundur lidhjen e të gjithë segmentit të Unazës së Vogël rreth sheshit, për ta lehtësuar përfundimisht çështjen e trafikut të makinave, që do të devijohet nga ky shesh.

Plani i punës, siç e shikoni edhe nga vetë konfigurimi që i është bërë rrethimit do të diktojë një proces me blloqe pune, pa e mbyllur të gjithë sheshin njëkohësisht, pikërisht për të mos bllokuar të gjithë trafikun që detyrimisht sot kalon nga ky shesh, për shkak të pamundësisë për t'u lidhur aty ku sot është godina e INSIG-ut dhe do të bëjmë gjithçka mundemi që përmes këtij procesi të ndarë në pjesë, të bëjmë të dyja punët, edhe ndërtimin e sheshit sipas parashikimit, por edhe mospengimin përtej një kufiri të caktuar të arsyes të qytetarëve që duan të lëvizin me makina.

Dua të nënvizoj se është absolutisht e rëndësishme që çdo qytetar në Tiranë, duke filluar që sot të ndihet bashkërealizues i këtij sheshi, duke na e falur pengimin që do të vijë në trafik, domosdoshmërisht ashtu siç ndodh në çdo dhe për çdo kantier të madh që ndërtohet në një qytet si Tirana, në çdo qytet që ka makina, që ka lëvizshmëri të madhe. Le t'i referohemi Athinës ku trafiku u kthye në një problem madhor gjatë hapjes së një sërë kantieresh për Olimpiadat, por ku pastaj të gjithë përfituan nga rezultati i atyre kantiereve apo çdo qyteti tjetër që gjendet në kushtet që duhet të hapë një kantier kaq të madh në zemër të tij.

Sot është një ditë shumë e rëndësishme, sot është një ditë për të bashkuar të gjitha forcat dhe energjitë dhe jo për t'i ndarë fjalët mes palësh, që në fakt nuk duhet të ekzistojnë kur është fjala për një kantier kaq të rëndësishëm, kur është fjala për kartëvizitën jo vetëm të kryeqytetit por të të gjithë Shqipërisë, madje të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, Maqedoni e kudo dhe që sheshin "Skënderbej" e konsiderojnë si sheshin qendror të vendit amë.

Unë do të dëshiroja që të përfitoj nga rasti për të vënë fuqishëm theksin tek nevoja e një bashkëpunimi të të gjithëve, duke filluar që nga institucionet deri tek qytetari më i thjeshtë, në mënyrë që ky kantier të jetë kantieri i aftësive dhe njëkohësisht edhe i mundësive tona që janë jo të pakta dhe bëhen edhe më të mëdha nëse i bashkojmë të gjitha së bashku. Do të ishte e kotë nëse do të hynim sot në polemika që i merr era sapo lindin dhe do të doja që të kërkoja edhe ndihmën tuaj si përfaqësues të shumë tribunave të medias, për të sqaruar sa më shumë qytetarët me dobinë e këtij projekti dhe lidhur me nevojën që edhe ata të bëhen pjesë në realizimin e këtij projekti, pikërisht duke mirëkuptuar vështirësitë që do të krijohen në trafik, duke mirëkuptuar kohën e nevojshme për ta realizuar këtë projekt, sepse më mjafton të them që pjesa e volumit të punës dhe njëkohësisht e shpenzimit të parashikuar për t'u bërë në nëntokë është e barabartë thuajse me çka do të bëjmë mbi tokë, kështu që bëhet fjalë për një projekt shumë kompleks që do të kërkojë kohën e vet dhe që kur të vijë dita për t'u parë i realizuar, do të jetë krenari për të gjithë ne, do të jetë kënaqësi për ta kujtuar që ishim ne atë ditë, apo e mbajmë mend atë ditë kur në qytetin tonë ndodhi fillimi i shumëpritur i punës për transformimin e këtij sheshi, që është një vepër e rëndësishme e traditës, që është një vend i rëndësishëm i historisë dhe që pa asnjë dyshim do të kthehet në një nga vendet për t'i parë njerëzit së bashku të pashqetësuar nga makinat dhe me një cilësi ajri që do të jetë e ndryshme nga kjo e sotmja.

Dua t'i vë një pikë në këtë fjalë timen duke iu referuar edhe projektit. Ky ka qenë një shesh i paradave, manifestimeve të forcës në të gjithë historinë e tij dhe projekti është i konceptuar për ta kthyer këtë shesh në një vend të manifestimit të individualitetit njerëzor, të qytetarisë si shprehje e personit dhe jo e turmës, përmes një forme shumë të veçantë që do të ketë sheshi e cila do të evokojë historinë por njëkohësisht do të nënvizojë faktin se tashmë historia është e dominuar nga qytetari i barabartë mes qytetarësh".

(*) Fjala e mbajtur sot në nisjen e punimeve për rindërtimin e sheshit "Skënderbej", Tiranë

KOMENTE