English

Shkëmbyen zjarr ndaj njëri- tjetrit, vihen në pranga

Krujë, 29 mars, NOA - Kanë hapur zjarr ndaj njëri-tjetrit pranë një pike karburanti, duke u plagosur, ndërsa kanë rënë në prangat e policisë.

Fjala është për Mustafa Dacin, 45-vjeç, banues në Krujë dhe Jetmir Keçi, 26-vjeç, banues në fshatin Halil të Fushë-Krujës, të cilët gjenden në spital jashtë rrezikut për jetën.

Lajmi konfirmohet nga burimet policore, sipas të cilave, ka nisur procedimi penal në mungesë e po punohet edhe për kapjen e 28-vjeçarit Klodian Keçi, i implikuar edhe ky në shkëmbimin e zjarrit që ndodhi në fshatin Halil të Fushë-Krujës, në afërsi të karburantit "Alpet", pak ditë më parë për motive të dobëta, ku vëllezërit Jetmir dhe Klodian Keçi kanë shkëmbyer zjarr me Mustafa Dacin si pasojë e së cilit kanë mbetur të plagosur dy personat e lartpërmendur.

Në cilësinë e provës materiale, madje Mustafa Dacit iu kap edhe arma e gjahut tip Shotgan të cilën ky person e mbante pa leje.

Ndërsa materialet proceduriale për veprat penale të "Vrasjes së mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjahut" iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Krujës.

n.e/NOA

KOMENTE