English

Nis faza e 3-të e projektit kundër trafiqeve ilegale dhe krimit.

Tiranë, 31 mars, NOA - Eshtë lançuar sot faza e tretë përmbyllëse e projektit Alb/G70 "Mbi forcimin e kontrollit kufitar dhe drejtësisë penale në luftë kundër trafiqeve ilegale dhe krimit të organizuar në Shqipëri".

Ky projekt është vënë në zbatim nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për drogat dhe krimin (UNODC), në sajë të financimeve nga qeveritë italiane dhe gjermane, ndërkohë që vazhdimi i fazës së fundit është bërë i mundur nga financimi me një vlerë prej 400.000 eurosh nga qeveria italiane.

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë zv/ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, përfaqësuesja e OKB në Tiranë, Gulden Turkoz Cosslett, koordinatorja rajonale e Zyrës së UNODC-së, Carla Ciavarella etj.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, shprehu në emër të Policisë së Shtetit vlerësimet më të mira për bashkëpunimin disavjeçar me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për drogat dhe krimin.

Gjithashtu, ai falënderoi qeverinë gjermane dhe atë italiane për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve të policisë së shtetit për përdorimin me sukses te informacionit si një instrument të rëndësishëm në ndërmarrjen e operacioneve taktike dhe strategjike në luftë kundër fenomeneve kriminale ndërkufitare.

Por vlerësime për këtë bashkëpunim janë dhënë edhe nga të pranishmit, të cilët theksuan kontributin e këtij projekti në forcimin e kapaciteteve të strukturave vendore të policisë shqiptare në luftën kundër drogës dhe trafiqeve të paligjshme.

Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit Italian në Shqipëri, Flavio Lovisolo, evidentoi jo vetëm rëndësinë e madhe që ka ky projekt në veçanti, por edhe suksesin e bashkëpunimit me palën shqiptare.

n.e/NOA

KOMENTE