English

Prostituonte një të mitur në shtëpi me qera

Elbasan, 31 mars, NOA - Kishte marrë një shtëpi me qera posaçërisht me qëllimin e shfrytëzimit për prostitucion të një vajze 16-vjeçare, ku për çdo klient që i gjente, përfitonte 4.000 - 5.000 lekë të reja.

Por akti i turpshëm i ndërmarrë nga 32-vjeçari, duket se ka përfunduar shpejt, pasi forcat e policisë e kanë pikasur atë dhe nën kuadrin e operacionit të koduar "Hëna e re", e kanë kapur në flagrancë duke e vënë menjëherë në pranga.

Ngjarja raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Elbasanit, sipas të cilave, i ndaluari është Agim Brahja, banues në lagjen "Vullnetari" të këtij qyteti, ndërsa e mitura mban inicialet N.B dhe është banuese në lagjen "5 Maji".

Gjatë kontrollit të shtëpisë ku kryhej prostitucioni nga ana e të miturës, nën mbikëqyrjen e 32-vjeçarit, ndër të tjera u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4.000 lekë të reja si dhe objekte të tjera të cilat kanë shërbyer për realizimin e kësaj veprimtarie.

Po kështu, bëhet me dijeni se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për vajzën e mitur, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale.

Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprat penale "Ushtrim prostitucioni" dhe "Shfrytëzim i prostitucionit", të cilat parashikohen nga nenet 113 dhe 114 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE