English

Rasmussen: PSE, mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë

Sarajevë, 31 mars, NOA - Partia Socialiste Europiane do të kërkojë në Parlamentin Europian liberalizimin e vizave për Shqipërinë në fillim të muajit korrik të këtij viti. Garancia për këtë mbështetje i është dhënë kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta nga Presidenti i PSE-së, Poul Nyrup Rasmussen, gjatë takimit të zhvilluar në konferencën e partive të majta në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës.

"Rasmusen konfirmoi gatishmërinë e socialistëve dhe progresistëve evropiane për të liberalizuar vizat me Shqipërinë në fillim të korrikut 2010", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të LSI-së.

Presidenti i PSE-së, Rasmussen ka vlerësuar angazhimin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve rajonale në të gjitha dimensionet. Ai ka shprehur mbështetje për rolin aktiv të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta në politikën e jashtme në funksion të bashkëpunimit rajonal, duke vlerësuar si shumë të rëndësishme dhe vizitën e fundit të Metës në Serbi.

Në Konferencën Ballkanike të Partisë Socialiste Evropiane në Sarajevë, Presidenti i Partisë së Socialistëve Europian dhe kreu i LSI-së Ilir Meta, kanë diskutuar dhe për forcimin e marrëdhënieve mes PSE dhe LSI, situatës politike në Shqipëri dhe perspektives së afërt të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

m.xh/NOA

KOMENTE