Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bashkëshortët që s'dinë gjermanisht, të padëshiruar në Gjermani
English

Bashkëshortët që s'dinë gjermanisht, të padëshiruar në Gjermani

Berlin, 1 prill, NOA - S'ka bashkim familjar pa gjermanishte. Këtë kërkesë të nenit 30 të ligjit të rezidencës në Gjermani e konfirmoi sërish të martën Gjykata Federale e Administratës në Lajpcig.

Në një platformë shitblerje në internet në morinë e ofertave të shumta gjendet edhe ajo e pseudonimit enis enni për "diploma për bashkim familjar në Gjermani dhe Zvicër".

Më shumë nuk thotë dot shitësi, sepse malli i tij - diploma, e jo kurse gjuhe - është ilegal.

"Tregu potencial" i tij nuk është shumë i vogël, po të hedhim një vështrim tek shifrat e vitit 2009. Nga gjithsej 4571 kandidatë kosovarë për një vizë me qëllim bashkimi familjar gati gjysma nuk e kanë marrë provimin e gjuhës. Për Maqedoninë shifrat janë edhe më dëshpëruese: Dy të tretat e nuseve, ose dhëndurëve ,që janë paraqitur në provim (gjithsej 2862), nuk kanë arritur të dëshmojnë njohuritë fillestare të gjuhës së vendit, ku duan të ngrenë folenë martesore.

Por pa gjermanishte, nuk ka bashkim familjar. Këtë klauzolë në nenin 30 të ligjit gjerman për rezidencën (Aufenthaltsgesetz), që ka hyrë në fuqi në vitin 2007, e konfirmoi të martën (30.3.) edhe instanca më e lartë e gjyqësorit të administratës:

"Gjykata Federale e Administratës e konsideron këtë rregull në përputhje me ligjin themeltar, sepse çdo njeri duhet të jetë në gjendje të mësojë bazat e gjermanishtes. Kjo cilësohet si një kërkesë e rëndësishme për integrim dhe është interes legjitim i Republikës Federale të Gjermanisë që t'u kërkojë njerëzve, që vijnë këtu, që të dinë të orientohen në gjuhën e vendit", sqaron për programin shqip të Deutsche Velle-s profesor Harald Doerig, gjykatës në Gjykatën Federale Administrative me seli në Lajpcig.

Ka edhe kurse alfabetizimi

Kjo vlen edhe për ata, që nuk kanë mësuar kurrë as të shkruajnë e as të lexojnë. E tillë

ishte edhe shtetasja turke, që kishte parashtruar padinë në Lajpcig. Së bashku me pesë

fëmijët e saj ajo donte të vinte në Gjermani për të bashkëjetuar me të shoqin, që jetonte aty prej gati 10 vjetësh.

Ambasada Gjermane në Ankara ia kishte refuzuar vizën, pasi gruaja nuk e kishte kryer provimin e gjermanishtes, me arsyetimin se ajo nuk dinte shkrim e lexim.

Por ky nuk është argument, thotë profesor Doerig: "Për analfabetët ka kurse alfabetizimi, të cilat në rastin e Turqisë i ofron shteti. Sipas të dhënave të qeverisë gjermane, kursi i alfabetizimit së bashku me atë të gjuhës gjermane, mund të bëhen brenda një viti. Kjo nuk është ndonjë kohë shumë e madhe pritje për çiftin", gjykon gjykatësi.

Klauzola për parakushtin e gjuhës për bashkim familjar ka hyrë në fuqi në vitin 2007 me synimin për të parandaluar martesat me detyrim. Por rregulli nuk vlen për të gjithë të huajt. Amerikanët ose japonezët, për shembull, nuk kanë nevojë t'i nënshtrohen atij. Gati një e treta e gjithsej 34340 të prekurve nga ky ligj në vitin 2009 vinin nga Turqia. Në listën e vendeve të prejardhjes Kosova gjendet në vendin e dytë, pasuar nga Tajlanda e Maqedonia.

Pjesëmarrja në kurset e gjuhës

Shkaku se përse vetëm 64 përqind e kandidateve (nga Kosova vetëm 51, nga Maqedonia 33) arrijnë ta kalojnë provimin e gjuhës, që përmban gjithsej afro 600 fjalë në gjermanisht, ka të bëjë edhe me mospjesëmarrjen e tyre nëpër kurset e ofruara nga "Instituti Goethe" dhe partneret e tij. Por kritikuesit e këtij ligji vënë re se në shumë vende, ose nuk ka institut, ose kandidatët banojnë nëpër zona rurale, ku s'ka oferta për mësimin e gjuhës. Për lidhjen bashkëshortore provimi i gjuhës shndërrohet shpesh herë në një sprovë.

Një sprovë e përballueshme, gjykon Doerig: "Martesa është një lidhje për një periudhë të gjatë dhe ajo duhet të jetë në gjendje të kalojë edhe sakrifica të tilla. Një dëshmi për këtë është marrëdhënia bashkëshortore e paditësve në Lajpcig: "Ata kishin dhjetë vjet që jetonin të ndarë nga njëri-tjetri. Burri kishte ardhur në vitin 1998 si azilkërkues, pastaj ishte martuar me një gjermane, ishte ndarë prej saj, dhe vetëm tani, pas lindjes së fëmijës së pestë, shtroi kërkesën për bashkim familjar me mamanë e fëmijëve të tij në Turqi", sqaron Doerig.

"Por ne nuk kërkojmë një sakrificë kaq të gjatë, gjykatat gjermane mendojnë se deri në dy vjet, ndarja është e përballueshme".

Rregulli nuk e cënon jetën bashkëshortore dhe nuk bie në kundërshtim as me kushtetutën gjermane, e as me të drejtën evropiane, thotë Doerig.

Përkundrazi, trendi në Evropë duket se po shkon në këtë drejtim.

Përveç Gjermanisë parakushtin e gjuhës e ka edhe Franca e Holanda, madje këto kërkojnë jo vetëm njohuri gjuhe, por dhe njohuri për historinë dhe kulturën e vendit, ku jetojnë.

Ndërsa në Gjermani shteti ua ofron këto njohuri nuseve dhe dhëndurëve të porsaardhur në kurse të posaçme integrimi.

Deutche Velle

KOMENTE