Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jeta normale në një vend normal
English

Jeta normale në një vend normal

Më 18 mars, diçka normale ndodhi në Gazimestan, diçka që sërish dëshmoi se Kosova po bëhet një vend gjithnjë e më normal dhe meriton të trajtohet si i tillë nga komuniteti ndërkombëtar, duke mos i marrë parasysh mendimet e klasës politike të Beogradit. Në atë ditë, Policia e Kosovës mori përgjegjësinë nga KFOR-i për të ruajtur lokacionin historik serb në Gazimestan

Nga Patrick Moore*

Mbrojtja policore e monumenteve të njohura mirë në territorin ku janë, nuk është asgjë e re në botë. Por, t'i lexosh komentet e të përjavshmes serbe NIN dhe të disa mediave të tjera në Beograd, dikush do të mund të mendonte se botës i ka ardhur fundi. Ministria koloniale e Serbisë për Kosovën gjithashtu ka protestuar, duke thënë se "ruajtja e atyre vendeve nuk mund t'u besohet atyre që i kanë shkatërruar. Përvoja tregon se që nga viti 1999, trashëgimia historike dhe kulturore (e Serbisë) ka qenë vazhdimisht në shënjestër të ekstremistëve shqiptarë, derisa synimi i vetëm i këtij vandalizmi është fshirja e gjurmëve të pranisë së gjatë me shekuj të serbëve". Nuk do të përpiqem të komentoj çdo pikë të kësaj deklarate, sepse kjo do të kërkonte një artikull më vete. Është e vërtetë se në gjashtë vjetët e fundit ka pasur disa akte vandalizmi kundër lokacioneve kulturore serbe. Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë e qartë, se cilët ishin përgjegjësit e atyre sulmeve. Shumë kosovarë dyshojnë se janë provokuar nga forcat serbe të sigurimit, të cilat vazhdojnë të kenë zyra të posaçme për Kosovën në vende të ndryshme të Serbisë. Të mos harrojmë se forcat serbe të sigurisë sot janë trashëguesë të UDBA-s jugosllave, e cila dikur shihej si një nga organizatat më efektive në Evropë. Me fjalë të tjera, po të mos ishin "shqiptarët ekstremistë" ata që sulmojnë objektet historike apo kishat, do të ishte e domosdoshme për disa njerëz që t'i shpikin ata ekstremistë, për të "dëshmuar" se propaganda serbe nuk gënjen. Një hap i madh Por, le të zhvendosemi nga frika e pohimet e klasës politike në Beograd dhe të dëgjojmë disa mendime të tjera. Komandanti i NATO-s, admirali Mark Fitzgerald, ka thënë më 19 mars në Prishtinë se transferimi i përgjegjësive për ruajtjen e monumentit të Gazimestanit është rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në vend. Pak ditë pas kësaj deklarate, forcat amerikane i dhanë fund patrullimit të përbashkët me policinë kufitare të Kosovës në kufirin me Maqedoninë. Kapiteni Dan Murphy, zëdhënës i këtyre forcave në kampin Bondsteel, tha se profesionalizmi i policisë kosovare është përmirësuar deri në atë pikë, kur amerikanët "janë definitivisht në pozicion të bëjnë një hap prapa". Ai tha se fundi i patrullimeve të përbashkëta "ishte një hap i madh. Jemi në pritje të mundësive të tjera për të transferuar edhe më shumë detyra tek institucionet lokale në Kosovë". Situata e sigurisë është aq e përmirësuar në fakt, saqë Spanja dhe Franca janë duke menduar t'i tërheqin fare trupat nga KFOR-i. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, ka thënë më 30 mars se Gjermania mbase do të zvogëlojë numrin e forcave që ka në KFOR, por ai gjithashtu ka tërhequr vërejtjen se trupat aleate duhet të largohen bashkërisht, nisur nga parimi bazë i NATO-s, "së bashku brenda, së bashku jashtë". Në Gjermani, ekspertët ushtarakë në media kanë vënë në pah, këto ditë, se puna ushtarake në Kosovë, esencialisht ka marrë fund. Detyrat tani janë të përqendruara në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe social, paralelisht me sigurinë bazë. Këta ekspertë gjithashtu kanë pohuar se çdo kërcënim ndaj pronave kulturore apo fetare mbase mund të vijë nga individët ekstremistë dhe jo nga ndonjë grup i organizuar. Në fakt, që prej vitit 2004, nuk kemi parë ndonjë grup të vërtetë dhune. Kosovarët, ndërkohë, kanë arritur të dëshmojnë disiplinë të mirë sociale në vitet që i paraprinë pavarësisë. Nuk ka arsye për të menduar se, brenda natës, banda të organizuara, befasishëm do të fillojnë t'i sulmojnë kishat apo monumentet serbe. Policia e Kosovës ka filluar paqësisht dhe profesionalisht t'i ruajë lokacionet serbe; këtë e kam parë vetë në Prizren dhe kudo tjetër. Nëse vërtet ekziston ndonjë shqetësim në raport me kishat serbe, atëherë ato kanë të bëjnë me rrezikun që del nga radhët e tyre. Një hetim i fundit i zhvilluar nga Kisha Ortodokse Serbe ka gjetur se janë vjedhur qindra-mijëra euro, që për destinacion kishin serbët e varfër në Kosovë. Si rezultat i këtij skandali, është pezulluar vetë peshkopi Artemije. Asnjë nga individët e përfshirë nuk ishin shqiptarë, qofshin ata "ekstremistë" apo të tjerë. Çështja thelbësore Rrënja e problemit që gjendet përballë pakicës serbe në Kosovë është sjellja e një pjese të madhe të saj se shteti i tyre është Serbia dhe jo Kosova. Beogradi është duke i trimëruar ata ta besojnë një fiksion të këtillë. Të rikujtojmë se një nga elementet e zakonshme në luftërat e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, gjatë viteve '90, ishte në fakt refuzimi i serbëve lokalë për të pranuar mundësinë që të jetojnë mirë dhe në mënyrë paqësore, në një shtet të cilin nuk e kontrollojnë serbët. Beogradi ka promovuar besime të këtilla atëherë dhe me gjasë ende është duke bërë një gjë të këtillë. Mund ta kujtojmë edhe vizitën shumë të publikuar të presidentit Boris Tadiq te komuniteti serb në Kosovë, më 2005, atëherë kur ai prezantoi në secilin qytet apo enklavë flamurin e Serbisë dhe deklaroi se "kjo është Serbia"; diçka të këtillë madje as presidenti Millosheviq nuk e kishte bërë. Serbia e post-Millosheviqit i ka mbajtur të gjalla zyrat e MUP-it në Kosovë dhe ka një ministri shumë të zëshme koloniale, e cila mbështet "institucionet paralele" në veri. Dhe, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, udhëton në gjithë planetin, në përpjekje për ta vështirësuar jetën e vendit më të ri fqinj të Serbisë. Në një nivel më të thellë, problemi më fundamental është varshmëria e nacionalistëve serbë nga miti për Kosovën dhe rolin e saj në historinë e Serbisë. Ky mit ka një përfundim pothuajse universal, edhe pse, sikur që e kanë vërejtur edhe redaktorët në shërbimin serb të Radios Evropa e Lirë, vetëm 20 për qind e serbëve jashtë Kosovës kanë marrë mundin dhe përpjekjen për ta vizituar këtë vend para vitit 1999. Kultura politike serbe duhet ta heqë qafe mitin e Kosovës, nëse Beogradi synon të ketë raporte normale, si një vend normal në rajon. Stevan K. Pavlowitch, profesor në Universitetin Southampton dhe studiues në "Royal Historical Society", ka identifikuar natyrën e problemit në librin e tij, "Serbia: Historia e një ideje", të botuar më 2002. Ai thotë se "beteja për Kosovën më 1389 nuk është luftuar midis armatës serbe dhe asaj turke, por midis dy ligave feudale, pa besnikëri etnike". Në raport me politikën moderne, Pavlowitch thotë se Serbia ka nevojë për një lider të fuqishëm, i cili do t'i thoshte popullit se Kosova është e humbur dhe se ka ardhur koha për të ecur përpara me jetën, për t'u marrë me problemet e vërteta të Serbisë, në rrafshin ekonomik dhe atë social. Ai ka shkruar se "për t'u pajtuar me zhbërjen e Jugosllavisë, Serbia do të ketë nevojë për një lider që do të kishte fizikun dhe vizionin e Charles de Gaulle - një personalitet ky, i cili do të kuptonte dhe do t'i bindte bashkatdhetarët e tij, se për t'u marrë me problemet që shfaqen nga serbët për shkak të zhbërjes së Jugosllavisë, Serbia duhet ta heqë barrën e Kosovës. Ajo çfarë arriti të ketë, ishte Sllobodan Millosheviqi, projekti i të cilit, nuk ishte synim tjetër, pos të qëndruarit në pushtet. Sot, dikush mund të pyesë a kanë arritur të dëshmojnë pasardhësit e Millosheviqit se janë më të mirë? (*) Patrick Moore ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008

KOMENTE