English

Vdekja e shoqërisë

Jam i vetëdijshëm se një numër lexuesish do të më thonë se po përsëris gjëra që tashmë i kam thënë, se ata nuk duan denoncime, por rrugëzgjidhje. Dhe u jap edhe të drejtë, sepse edhe këtë kërkesë e shoh si pjesë të sëmundjes. Sa për rrugëzgjidhjen, mund të them se Saviano, duke folur për Italinë, thotë se ajo nuk mund t'ia dalë vetëm, dhe kërkon ndihmën e pjese më të qytetëruar të botës

Nga Fatos Lubonja "Dëshpërimi më i rëndë që mund t'i bjerë një shoqërie është kur atë e kap dyshimi se të jetosh ndershmërisht është një punë e padobishme. Dhe ky dëshpërim e ka kapluar vendin tim prej shumë kohësh". Ky është një reflektim që e ka bërë nga fundi i jetës së tij, shkrimtari kalabrez Corrado Alvar, që e citon Roberto Saviano në një shkrim të kohëve të fundit, botuar në La Republica. Duke e lexuar nuk mund të mos më shkonte ndërmend krahasimi me realitetin shqiptar, ku ndjenjën e dëshpërimit, si humbje shprese, e gjen të përhapur në masë, si një epidemi. Dhe, duke u thelluar në krahasimin midis dy realiteteve, personalisht nuk mund të mos nxirrja një përfundim edhe më të rëndë. S'kisha se si të mos rëndohesha duke patur parasysh faktin se tek ne nuk mund të flitet për "dyshimin" se "të jetosh ndershmërisht është e padobishme", por për "bindjen" se "të jetosh ndershmërisht është e pamundur." Dhe, midis të dyjave, ka një diferencë të madhe. Nuk ka shumë nevojë për ta provuar se kjo që them s'është thjesht një shprehje retorike. Sa për ilustrim, le të kemi për shembull parasysh rrogat e ligjshme të asaj kategorie që përbën atë që në çdo vend quhet pjesa më intelektuale (shtylla kurrizore) e shtresës së mesme të shoqërisë, siç janë punonjësit e administratës shtetërore, mësuesit e shkollave dhe të universiteteve, gjykatësit, prokurorët, mjekët, dhe le t'i ballafaqojmë këto me shpenzimet që duhen për të pasur një jetë "normale". E kam fjalën për shpenzimet që i duhen një familjeje që përbëhet, le të themi, nga dy të rritur dhe dy fëmijë për ta paguar ushqimin e përditshëm, elektrikun dhe ngrohjen, shërbimin telefonik shtëpiak dhe celular, veshmbathjen për veten dhe fëmijët, këstin e një makine si dhe karburantin e saj, nja dy kafe në ditë, e ndonjëherë edhe ndonjë restorant e ndonjë pushim turistik apo fundjavë jashtë qytetit, ndonjë këst shtëpie, për të mos përmendur pastaj shpenzime shëndetësore që kërkojnë operacione apo kura të ndryshme. (Sikurse do të vërë re lexuesi, as nuk begenisa të shtoj zërin e shpenzimeve kulturore). Nëse dikush do të më thotë se të gjitha këto mund të paguhen me 250 deri ne 450 euro në muaj, sa ç'është rroga mesatare e kategorisë që përmenda (besoj se duke e shtuar ca), atëherë kërkoj ndjesë, por mua më del se edhe sikur të dy të rriturit në familje të kenë këto rroga, çka është më e rrallë, prapë nuk del hesapi. Ja pse, sipas meje, dëgjon për administratorë që marrin ryshfete, për prokurorët e gjykatësit që pasurohen duke bashkëpunuar me krimin dhe kriminelët, për pedagogë shkollash e universitetesh që marrin lekë nga studentët për t'i kaluar, për mjekë që marrin ryshfete, për gazetarë që në vend se të jenë qen roje i interesave të publikut, bëjnë qenin e rojës së padronit, etj. etj. (Jam i bindur se nuk janë të gjithë njëlloj dhe se ka edhe nga ata që jetojnë me privime për të ruajtur nderin, por jam po aq i bindur se në një mënyrë apo në një tjetër i gjithë ambienti ku ata mbijetojnë është i helmuar me pandershmëri). Le të ngjitemi pastaj pak më lart, tek ata që janë udhëheqësit e kësaj shtrese apo edhe punëdhënësit e tyre: kryesisht politikanët e lartë. Për nivelin e tyre të jetës, sot të flet çdo shqiptar, por pakkush di të të thotë se si mund të arrihet ky me rrogat e tyre që normalisht, edhe pse më të mëdha se të të parëve, nuk arrijnë as të ardhurat e një punëtori normal në Perëndim, ndërkohë që çmimet në Shqipëri, në mos të krahasueshme me Perëndimin, janë për disa shërbime bazë si telefonat celularë, elektriku, ngrohja, por edhe mjaft ushqime - edhe më të larta. Si ka mundësi që këta njerëz kanë vila e pasurira që kalojnë miliona dhe bëjnë shpenzime që mund t'ua kalojnë edhe atyre të politikanëve në Perëndim? E di që një pjesë do të më akuzojnë se po flas pa të dhëna, me thashetheme, dhe, e përsëris, nuk them se janë të gjithë njëlloj. Por Shqipëria një pëllëmbë vend është dhe informacioni herët ose vonë mbërrin rëndom nëpër tryeza njerëzish që janë afër kësaj kategorie. Dhe, pavarësisht saktësisë së këtyre që thashë, një gjë është e sigurt: sot është normale të dëgjosh të flitet për paturpësinë me të cilën aksh ministër kërkon llokmën e tij për firmat që vendos në tenderë e më the të thashë, për aksh kryetar bashkie që jep leje ndërtimi duke kërkuar lekë ose apartamente, për mënyrën se si shpërndahen ryshfetet në piramidën e atyre që kanë pushtetin, e se si abuzohet me paranë publike. Ata të paktë që mund ta justifikojnë luksin e tyre të jetës, makinat 4x4 që kushtojnë sa një shtëpi, pushimet turistike jashtë shtetit, deri edhe jahtet, janë biznesmenët e pasur. Por, nuk di a gjen dot një biznesmen që të të thotë se është e mundur ta çosh përpara biznesin pa lyer pandershmërisht rrotat e pushtetit. Dhe ata që ta thonë këtë hapur janë më të mirët. Sepse ka një mori nga ata që s'mund tua shpjegosh pasurinë pa patur parasysh trafiqet njerëzore, të drogës dhe të prostitucionit. Poende, sot dëgjon rëndom për borxhe milionëshe të papaguara bankave nga një pjesë që konsiderohen njerëzit më të pasur të vendit. Dëgjon deri edhe për zhvillimin e një "mafieje financiare" që është ajo që pastron paratë e drogës duke marrë përqindje të larta interesi nga biznesmenët e falimentuar. Ky është realiteti në kokën e Shqipërisë, që pastaj zbret poshtë tek njerëzit e thjeshtë si shembull jete dhe vepre për shumicën, si ambicie apo si zili tek të tjerë, dhe si nënshtrim ndaj këtij realiteti tek ata pak që dje mund të kenë pasur edhe ndjenja revolte ndaj kësaj padrejtësie. Pyetja që shtrohet është se çfarë realiteti është ky dhe se çfarë lloj dëshpërimi mund që quhet ai që ngjall ky në krahasim me një vend si Italia ku, siç thotë Saviano, duke cituar Corrado Alvaron, shoqëria jeton me dyshimin se "të jetosh ndershmërisht është e padobishme", duke e quajtur këtë "dëshpërimin më të madh për një shoqëri". Besoj se midis situatës që përshkruan Saviano dhe situatës sonë ka një ndryshim jo të vogël. Dëshpërimi nënkupton të paktën dy gjëra; e para ekzistencën ende të një ndjeshmërie dhe, e dyta, ekzistencën e një shprese që, si të thuash, ka ardhur duke u fikur apo sapo është fikur. Kurse, duke përshkruar situatën tonë do të thosha se fjala "dëshpërim" duhet zëvendësuar me diçka tjetër dhe kjo tjetra duhet të jetë një fjalë që nënkupton edhe humbjen e ndjeshmërisë edhe humbjen prej kohësh të shpresës. Duke kërkuar ndonjë fjalë nuk gjeta më të mirë sesa fjala "vdekje". Duke e perifrazuar citimin e Savianos do të thosha: "Vdekja e një shoqërie vjen atëherë kur ajo nuk ka më asnjë shpresë se mund të jetohet ndershmërisht". Dikush mund ta gjejë shumë të rëndë dhe të më thotë se fjala "vdekje" mund të përdoret ndoshta vetëm metaforikisht, sepse një shoqëri gjithsesi jeton. Po, por këtu nuk bëhet fjalë për vdekjen fizike të individëve, por për vdekjen e asaj që bën që një numër i madh individësh të quhet shoqëri. Kjo është e vdekur në Shqipëri dhe nuk thash kot "është e vdekur" dhe jo "ka vdekur", sepse personalisht gjykoj se duhet të flitet për një vdekje që ka ndodhur prej shumë, shumë kohësh. Problemi i shoqërisë sonë është se ajo është vrarë prej kohësh nga diktatura dhe nuk ka mundur dot të ringjallet. Ka patur pa dyshim disa momente shprese, ringjalljeje, 1991, 1997, 2005, por larg së merituari këtë fjalë. Ato kanë qenë vetëm përpëlitje sysh që janë mbyllur përsëri. Saviano, duke folur për realitetin italian, në shkrimin që përmenda thotë: "Padrejtësia tek ne ka një shije që nuk të neverit më, nuk ta pështjellon stomakun dhe as krenarinë". Dhe pastaj vazhdon: "Sikur vetëm dyshimi se çdo përpjekje është e padobishme, se të shprehësh opinionin tënd është e kotë, mbyt dhe varros të drejtën. Të drejtën që është në themel të jetës civile, por ky dyshim mbyt edhe një të drejtë tjetër që e tejkalon këtë: të drejtën për të qenë i lumtur". Nuk di nëse ndonjëherë tek ne mund të flitet për ekzistencën e së drejtës, prandaj dhe për ekzistencën e lumturisë shoqërore. Jam i vetëdijshëm se një numër lexuesish do të më thonë se po përsëris gjëra që tashmë i kam thënë, se ata nuk duan denoncime, por rrugëzgjidhje. Dhe u jap edhe të drejtë, sepse edhe këtë kërkesë e shoh si pjesë të sëmundjes. Sa për rrugëzgjidhjen, mund të them se Saviano, duke folur për Italinë, thotë se ajo nuk mund t'ia dalë vetëm, dhe kërkon ndihmën e pjese më të qytetëruar të botës. "Të dalësh nga kriza do të thotë të kërkosh alternativa ndaj ekonomisë kriminale" - thotë Saviano. Dhe ndihma e botës duhet, sipas tij, edhe për arsye se ekonomia kriminale, ajo e ndragetës dhe e camorras, është e shtrirë ndërkombëtarisht. Edhe ringjallja e shoqërisë shqiptare mendoj se kërkon alternativa ndaj ekonomisë kriminale. Alternativa shumëplanëshe që duhet të fillojnë që nga edukimi i fëmijëve me vlera shpirtërore e principe morale, e deri tek riformatimi i sistemit që krijon hapësirat për lulëzimin e krimit dhe pandershmërisë si forma të së padrejtës dhe palumturisë. Dhe kjo nuk është punë e një gazetari. Kjo duhet të jetë punë e të gjithë atyre që, duke u ngritur nga kjo ndjenjë vdekjeje shoqërore, do të punojnë për alternativat e ringjalljes.

(*( Autori shkruan në kolumnën e "Korrieri"

KOMENTE