English

Dita e Romëve, zhvillohet aktiviteti "Ditët Kulturore të Romëve"

Tiranë, 6 prill, NOA - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Minoritetit Rom, nga ana e ministrisë së Kulturës dhe asaj të Çështjeve Sociale, është organizuar aktiviteti i titulluar "Ditët Kulturore të Romëve të Shqipërisë".

Të ftuar në këtë aktivitet ishin përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si edhe të shoqërisë civile.

Ai konsistoi në hapjen e një ekspozite, në të cilën pati punime të ndryshme, objekte artizanati të këtij komuniteti etj.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i angazhimeve te Këshillit te Ministrave për përfshirjen sociale dhe integrimin e minoritetit rom, si edhe promovimi i kontributit unik të këtij komuniteti në jetën kulturore shqiptare.

Nga ana tjetër, ky aktivitet u shoqërua edhe me performanca muzikore të luajtura nga muzikantë romë.

"Në zbatim të Konventës për respektimin e të drejtave të minoriteteve, afro dy vite më parë, pikërisht në 8 Prill të vitit 2008, qeveria shqiptare e anëtarësoi vendin tonë me të drejta të plota në "Dekadën e Përfshirjes së Romëve". Kjo politikë ka si qëllim themelor të vendosë harmoninë sociale duke mundësuar edhe përfshirjen social-ekonomike të minoritetit rom në shoqërinë shqiptare, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e tij kulturore dhe linguistike", u shpreh lidhur me një fakt të tillë, ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri.

n.e/NOA

KOMENTE