English

Dy grekë masakrojnë familjen shqiptare, vrasin beben në bark

Janinë, 6 Prill NOA - Ngjarje shokuese ka ndodhur në Greqi duke tronditur opinionin vendas dhe shkaktuar zemëratë mes emigrantëve shqiptarë pasi një grua shtatzënë u masakrua nga dy grekë bashkë me të shoqin e djalin tyre duke i vrarë dhe beben në bark, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Dy grekët atë e bir kanë masakruar çiftin shqiptar dhe djalin e tyre se kishin ngritur më shumë se ç'duhet volumin e muzikës në makinë dhe kanë vrarë fëmijën e gruas shtatzënë që priste ta sillte në jetë për pak javë.

Ngjarja ka ndodhur në Janinë të hënën e Pashkës, një prej tre ditëve të pushimit zyrtar për Pashkët në Greqi. Çifti shqiptar, një grua 25-vjeçare që priste fëmijën e dytë, një vajzë dhe bashkëshorti i saj 32 vjeçar, bashkë me djalin 4 vjeçar gjendeshin në makinën e tyre duke qëndruar në pritje të miqve të tyre dhe për të vijuar udhëtimin. Në këto momente ata po dëgjonin muzikë në kasetofonin e makinës.

Një banori vendas që ndodhej në banesën e tij përballë, i është dukur e lartë muzika dhe ka dalë jashtë duke bërtitur dhe duke i kërkuar çiftit që të ulë volumin.

Menjëherë në "ndihmë" të 45-vjeçarit ka dalë edhe i biri i cili i është sulur shqiptarëve duke iu hakërryer të ulnin volumin e muzikës, pa kursyer atë e bir të sharat pafund.

Situata është acaruar nga fjalët "hidh e prit" mes palëve por dy grekët kanë shkuar më tej duke goditur në kokë dhe trup çiftin dhe djalin e tyre që ishin futur si në kurth pasi gjendeshin brenda në makinë.

Në mënyrë barbare ata nuk kanë kursyer as gruan e re që priste të sillte në jetë një fëmijë. Për më tepër, njëri prej të dyve ka vrapuar në banesë dhe ka dalë që andej me një karabinë dhe me qytën e saj ka qëlluar në kokë duke ia çarë të riut shqiptar dhe menjëherë më pas ka qëlluar në bark edhe të shoqen duke i vrarë fëmijën që duhet të dilte në këtë botë pas disa javësh.

Policia ka mbërritur pas disa minutash në vendngjarje e lajmëruar nga dëshmitarë okularë të cilët i thanë agjentëve se ishin shokuar por edhe frikësuar shumë nga skena që përjetuan për disa minuta.

Burri i plagosur është dërguar në Spitalin Universitar të Janinës me dëmtime të rënda në kokë dhe mjekët u shprehën se gjendja e tij është kritike. Në të njëjtin spital u dërgua dhe i biri i cili gjithashtu paraqet plagë serioze në trup dhe kokë.

Ndërkohë gruaja e cila gjithashtu u dërgua në këtë spital tek reparti Obstetrik-Gjinekologjik, ka kaluar në gjendje shoku, thanë burimet spitalore për agjencinë NOA. Ajo ka humbur fëmijën e saj që ka vdekur për shkak të goditjeve me grushte dhe me qytën e pushkës tip karabinë, konfirmuan mjekët dhe policia e Janinës për agjencinë e lajmeve NOA.

Policia konfirmoi se ka arrestuar 45-vjeçarin dhe djalin e tij 22 vjeçar dhe ka ngritur ndaj tyre pesë akuza, për vrasje të mbetur në tentativë, tre herë, e kryer në bashkëpunim, vrasje për shkak të cilësive të veçanta dhe përdorim të paligjshëm të armëve luftarake.

n.s/e.r/NOA

Shënim: Lajmi është një prodhim i agjencisë NOA. Mediat ftohen të respektojnë të drejtën e autorit përmes citimit të burimit NOA.

KOMENTE