English

Zjarr në autobuzin Athinë-Tiranë, tmerr mes pasagjerëve

Kapshticë, 6 Prill NOA - Një autobus i linjës Tiranë - Athinë dhe anasjelltas ka marrë flakë në mesditë duke ngjallur frikë mes udhëtarëve tetë prej të cilëve u përfshinë nga flakët dhe kanë pësuar dëmtime, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja i është raportuar edhe policisë kufitare shqiptare në Kapshticë ku edhe kishte ndalesën e pritshme autobusi me destinacion Tiranën

Konfirmohet se zjarri ka rënë në rrugën shtetërore Athinë - Selanik, pak para vendit të quajtur Shën Theodhoros në Ftiotida, krahinë greke rreth 1.5 orë larg kufirit Greqi-Shqipëri.

Policia konfirmoi zyrtarisht se autobusi ishte i linjës Athinë-Tiranë dhe kthim. Korrespondenti i NOA citon burimet policore greke që bëjnë të ditur se në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore dhe zjarrfikës lokalë por edhe përforcime nga zonat e Stilidhës dhe Almirosë.

Në momentet kur ka marrë flakë krejt papritur autobusi, tetë prej pasagjerëve kanë qenë në zonën që zjarri shpërtheu dhe kanë pësuar djegie.

Bëhet e ditur se zjarri ka nisur në pjesën e pasme të autobusit nga motori dhe është zgjeruar menjëherë duke depërtuar tek sediljet e tetë personave që gjendeshin në fund të tij, por pa u rrezikuar jetën.

Shoferi ka ndalur autobusin dhe së bashku me ndihmësin e tij kanë nxjerrë jashtë të gjithë udhëtarët duke shmangur një tragjedi.

Ndërkohë, autobusi është djegur plotësisht. Mësohet se pasagjerët pas mjekimit në spital do të vazhdojnë udhëtimin me një tjetër autobuz

n.s/NOA

KOMENTE