English

Messi çon Barçën në gjysmëfinale

Spanjë, 7 Prill NOA - Në qoftë se mund të veçojmë një lojtar nga ekipi i Barcelonës atëherë ai padyshim do të jetë Lionel Messi. Argjentinasi dhe një herë tjetër ka treguar vlerat e tij duke konfirmuar dhe momentin fantastik që po kalon në karrierën e tij futbollistike.

Në sfidën e kthimit me Arsenalin ishin katër golat e realizuar nga Mesi, të cilat çuan ekipin e Guardiolës në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Duhet thënë se për një moment Arsenali mendoi se do të ishte skuadra që do të kualifikohej, pasi ishin anglezët që kaluan të parët në avantazh dhe kjo falë golit të shënuar nga Bendtner.

Çdo shpresë e Arsenalit dhe e lojtarëve të këtij ekipi u shua vetëm 2 minuta më pas kur Messi barazoi shifrat.

Më pas sërish argjentinasi firmosi një dopietë po në pjesën e parë, duke e mbyllur atë me rezultatin 3 me 1.

Në pjesën e dytë do të kishte vend dhe për një gol tjetër të argjentinasit, i cili shënoi në minutën e 88 të garës, duke vendosur dhe rezultatin final të sfidës, në 4 me 1.

Tashmë Barça është e gatshme të përballet me Interin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, ku për to do të jetë sfida e dytë me zikaltërit, pasi kujtojmë se këto dy ekipe u takuan dhe në fazën në grupe.

r.b/NOA

KOMENTE