English

Një grup shoqatash bëjnë thirrje publike kundër Edi Ramës

"Ne i bëjmë thirrje qeverisë, që të tregojë autoritetin e vet dhe me forcën e ligjit, të ndalë menjëherë rrënimin e simboleve të kombit tonë nga persona të papërgjegjshëm, siç është Edvin Kristaq Rama"

Tiranë, 7 Prill NOA - "Të ndalet dora shkatërrimtare e Edvin Kristaq Ramës, është thirrja që u lëshua sot në emër të Shoqatës Kombëtare të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë nga regjimi komunist, të Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë dhe të Shoqatës Kombëtare të Dëbim-Internimeve Politike.

Përmes një deklarate për media, ato thonë se shprehin mospajtimin dhe indinjatën, për "veprimet e fundit të papërgjegjshme, të kryebashkiakut në ikje, Edvin Kristaq Rama".

Deklarata është nënshkruar nga krerët e shoqatave, përkatësisht Gjoç Gjoçi për Shoqatën Kombëtare të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë. Tanush Kaso për Shoqatën e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë dhe Abdurrahman Çekiçi për Shoqatën Kombëtare të Dëbim-Internimeve Politike të Shqipërisë

Më poshtë vijon deklarata e plotë:

"Qytetarët e Tiranës nuk mund ta kenë harruar se ky "djalë plëngprishës" i Bllokut, kur u kthye nga ekzili, me veshje e me pamje prej gagareli dhe e bënë ministër të Kulturës, hodhi parullën mashtruese për "kthimin në identitet" të kryeqytetit tonë, gjë që nisi ta bënte me lyerjen e ministrive nga një firmë gjermane, me të cilën abuzoi.

Po ndërkohë, ishte ai që tentoi të prishte disa objekte social-kulturore me vlera arkitektonike e historike si Teatrin Kombëtar, TOB-in, etj., për të ngritur në vend të tyre pallate me shumë kate, që të mbushte xhepat e vet dhe të klanit të tij. Vetëm demonstratat disaditore të artistëve, të mbështetura fuqimisht nga populli i Tiranës, e penguan realizimin e atij plani shkatërrimtar.

Më vonë, fantazia e tij e çmendur e shtyri të ngrinte një "super-bunker" të shëmtuar në hyrje të kryeqytetit; por, nuk u lejua ta përfundonte. Dhe sot kemi në vend të asaj mase të madhe betoni, një pamje të bukur, me hapësirë e dritë, me shatërvan e lule, që duket sikur u japin mirëseardhjen atyre që vinë në Tiranë. Po ashtu, ndërhyrja energjike e qeverisë, bëri të mundur edhe mbylljen e kthimin në lulishte, të gropës së madhe e të qelbur në mes të Tiranës, që Edvini e kishte lënë enkas, për qëllimet e tij të mbrapshta.

Tani së fundi, mbasi ka dështuar për hapjen e kutive dhe për marrjen e pushtetit me dhunë, ai po hakmerret duke i vënë kazmën monumenteve të kulturës dhe simboleve të të kryeqytetit shqiptar. Dhe këtë po e bën me kokëfortësinë e një rrugaçi, pa përfillur qytetarët, ligjet dhe shtetin, duke i sfiduar dhe fyer ato.

Tirana nuk mund të kuptohet pa simbolet e veta, të njohura tanimë, të cilat paraqiten edhe në mediat e huaja, kur flitet për Shqipërinë. Ato janë: monumenti i Skënderbeut dhe sheshi me emrin e tij; ministritë dhe lulishtja midis tyre, të ndërtuara me një stil të veçantë nga mjeshtër italianë, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar; sahati me kullën e tij dhe xhamia shumë e vjetër, të shpallura prej kohësh "monumente të kulturës". Po ashtu simbolizojnë Tiranën edhe sheshi "Nënë Tereza" me ndërtesat përreth; bulevardi Dëshmorët e Kombit tok me Hotel "Dajtin", kryeministrinë, etj.; si edhe bulevardi "Zogu i Parë me disa ndërtesa karakteristike në të dyja anët, si ajo e maternitetit, etj.

Edhe në kryeqytetet evropiane, janë ruajtur ndërtesat historike dhe sheshet në qendër; kurse ndërtimet e reja bëhen më tej, në zona të tjera e me stil bashkëkohor.

Ndërtesat e larta si kulla e piramida, me të cilat Edvini kërkon të mbushë sheshin qendror, kanë për qëllim jo vetëm përfitimet vetjake e klanore, por edhe eklipsimin e monumentit të Skënderbeut e të objekteve të tjera pranë, që ruajnë vlera historike e arkitektonike. Ky nuk është tjetër, veçse një qëndrim antishqiptar, në vazhdën e hedhjes baltë mbi figurën e heroit tonë kombëtar e mbi patriotë të tjerë, nga disa pseudohistorianë e "analistë" me prejardhje joshqiptare, të njohur tanimë për qëndrimet e tyre, nëpërmjet emisioneve televizive.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë, që të tregojë autoritetin e vet dhe me forcën e ligjit, të ndalë menjëherë rrënimin e simboleve të kombit tonë nga persona të papërgjegjshëm, siç është Edvin Kristaq Rama. Gjithashtu ftojmë Shoqatën "Tirana", shoqërinë civile në tërësi dhe të gjithë ata që e ndjejnë veten se janë shqiptarë, që të mos heshtin, por të reagojnë me çdo mënyrë.

Së fundi, ne përsërisim kërkesën tonë, të miratuar në parim nga krerët e qeverisë e të shtetit, për ngritjen sa më parë në vendin ku ishte statuja e diktatorit Hoxha, të një përmendoreje apo obelisku, për të nderuar e përjetësuar qëndresën antikomuniste të shqiptarëve, ashtu siç janë ngritur edhe nëpër kryeqytetet e disa vendeve të Evropës Lindore", përfundon deklarata e tre shoqatave shqiptare.

e.r/NOA

KOMENTE