English

Meta-Krasniqi: Pavarësia e Kosovës, është e pakthyeshme

Tiranë, 8 prill, NOA - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti sot në një takim kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke u përqendruar kryesisht në zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, si dhe sfidat me të cilat përballet shteti i ri e marrëdhëniet dypalëshe.

Temë diskutimi ishin gjithashtu edhe bashkëpunimi në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për integrimin evropian e euroatlantik dhe bashkëpunimi rajonal.

Zv/kryeministri Meta nga ana e tij vlerësoi progresin e arritur në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë, duke vënë theksin në ndërtimin e shtetit ligjor, të institucioneve demokratike e funksionuese në të gjithë territorin e Kosovës.

Gjithashtu ai vlerësoi kontributin e Kuvendit të Kosovës për integrimin e të gjitha komuniteteve pakicë, përfshi atë serb, në institucionet e Kosovës.

Më tej, Meta shprehu bindjen se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj sovranitetit dhe institucioneve të Kosovës, si dhe ndaj njohjes së mëtejshme të shtetit të ri.

Duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, z. Meta e siguroi z. Krasniqi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen përfshirjen dhe përfaqësimin e Kosovës në të gjitha nismat shumëpalëshe, në kuadër rajonal dhe më gjerë, si dhe proceset e saj integruese në strukturat euroatlantike.

Ndërsa Krasniqi, nga ana e tij, pasi e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë, e informoi Metën për zhvillimet në Kosovë, ndryshimet në qeveri dhe mbështetjen nga Kuvendi të Strategjisë për Veriun, nga e cila do të përfitojnë të gjithë banorët e tij.

Me këtë rast, ai vlerësoi edhe kontributin e Shqipërisë në përmirësimin e kushteve të jetesës në komunat e sapokrijuara më shumicë nga komunitetet pakicë në Kosovë, duke evidentuar mbështetjen financiare të disa projekteve në komunën me shumicë serbe të Graçanicës.

n.e/NOA

KOMENTE