English

Sheshi "Skënderbej" i rikthehet qytetarëve

Sheshi është fytyra e qytetit. Është kuintesenca e tij. Për t'iu kthyer Tiranës sonë, atë mund ta mbledhim gjatë gjithë shtrirjes së saj, por në zemër të vetvetes e gjejmë mirëfilltazi vetëm në qendër, e pra vetëm në sheshin "Skënderbej"

Nga Albana Tollkuçi

Njeriu që rron në një qytet e përjeton atë si një kontenitor të pashmangshëm ku zhvillohet e gjithë ekzistenca e tij. Në pozitiv apo negativ të kësaj ekzistence, qyteti është i jetueshëm kur rrjedha e jetës së një njeriu zhvillohet në paqe e normalitet të plotë me gjithçka realitetesh ky qytet i ofron. Në të kundërt, nëpër kaosin e tij njeriu humbet, zvogëlohet, mposhtet, lodhet, vuan, ekzistenca e tij kthehet në një makth të vërtetë, në frikë e stërmundim. Qyteti mund të bëjë e të zhbëjë gjithçka. Vetë qytetari identifikohet me të, merr prej tij e po ashtu edhe jep. Pengesat apo lehtësirat që i pari i ofron të dytit dhe anasjelltas, ndërtojnë në mënyrë të vazhdueshme rrjedhën e ekzistencës së qytetërimeve mbarë. Është një dualizëm jetik ku qytetari bën qytetin po aq sa çbën qyteti qytetarin.

Por ndërsa aktivitetet e përditshme, rutinore e të skajshme që njeriu eksploron dhe ezauron në harkun kohor të një dite, përmbledhin pjesë e gjymtyrë pafund të qytetit, shtëpia, apartamenti, vendi i punës, supermerkati, rrugicat e lagjes, pika e karburantit, bari apo kafja poshtë shtëpisë, kinemaja, teatri, biblioteka, pub-i, etj, kanë domosdoshmërinë e lëvizjes dhe tejmbartjes, ku njeriu lëvrin, ecën, vrapon, merr makinën, hipën, zbret, rri ulur apo pushon e pastaj sërish ecën, bëjnë në total të të përgjithshmes vetë materien limfatike të qytetit mbarë, ka një vend par excellence ku qytetari rri me qytetin. Në bazë të tipologjisë dhe shumëllojshmërisë së qyteteve dhe metropoleve që sot njohim, ekziston për secilin prej tyre një ‘logos' unik i zgjedhur nga njerëzit për njerëzit, i imponuar prej historisë a prej vete shtresëzimit të saj, ku çdo qytet zgjedh pashmangshëm, një hapësirë-vend të caktuar rrethanash, i cili do të shërbejë si identifikim i drejtpërdrejtë me të vetë. Rastet janë të pafundme sa dhe vetë qytetet. Qendra historike, agoraja greke, forumi romak apo moria e forumeve, pallati mbretëror apo mejdani, plaza apo square, qendra, zemra, shprehja, kartolina apo fytyra e qytetit, është e identifikuar me një shesh. Të rrish në një shesh, është të rrish, të jesh e të ndjesh qytetin. Aty mund të gjesh e të të gjejë gjithfarë. Simbolet historike, objektet administrative, rekreacionet, dyndjet e turmave, shëtitjet, mitingjet, zbavitjet, bisedat, marrin në sheshin kryesor të tij kuptimet më të larta simbolike e identifikuese me të. Por ajo çka është më kryesore se çdo gjë tjetër, është se në atë vend të përcaktuar qytetari dialogon me qytetin.

Sheshi është fytyra e qytetit. Është kuintesenca e tij.

Për t'iu kthyer Tiranës sonë, atë mund ta mbledhim gjatë gjithë shtrirjes së saj, por në zemër të vetvetes e gjejmë mirëfilltazi vetëm në qendër, e pra vetëm në sheshin "Skënderbej".

Në panteonin tiranas sillen vërdallë objekte të rëndësishme të cilat pak e nga pak na kanë ndihmuar të ngrejmë siparin e teatrit qytetar. Kuptohet qartë që qendra është hapësira dhe objektet bashkë. Bashkëvendosja e objekteve krijon hapësirën ku zhvillohet aktiviteti njerëzor, por është forma e hapësirës, thellësia dhe shtrirja e saj që prefiguron vendosjen e fasadave që do të luajnë rol në të.

Në bazë të këtyre koncepteve themelore e bazilare urbane mund të tentojmë një zbërthim përshkrimor të tablosë qytetare dhe të fytyrës së re qytetare që Tirana do të mbartë në momentin kur plani aktual për rivitalizimin e qendrës, i ashtuquajturi plan belg, të jetë realizuar….

Ajo çka është jetike në këtë plan të ri për të, është fakti se sheshi, qyteti i rikthehet qytetarit. Largimi i vorbullës së trafikut dhe drejtvijimi i tij nëpërmjet trajektores së Unazës së Vogël është hapi i parë i rëndësishëm që përmbyll këtë veprim. E çliruar nga makinat (përpos atyre të emergjencës dhe tramit) qendra e Tiranës do të marrë frymë sërish. Heqja e rrugës së makinës ia kthen hapësirën tërësisht këmbësorit. Në liri të plotë veprimi ai mund të dialogojë pa ndrojë sipas çfarëdolloj trajektoreje drejtvizore, diagonale e të lakuar qoftë, me të gjitha godinat që i ofrohen në këtë vend. Lëvizja e tij nuk është e ndrydhur, por totalisht e çliruar pengesash. Ai mund të rrijë, të ulet, të ecë, të vrapojë, të shëtisë, e gjithfarë, sepse sheshi, Tirana është totalisht i tij dhe për të. Pothuajse të gjithë e gjejnë vetveten në të. E në mpleksjen e pafundme të veprimtarisë së gjithsecilit merr jetë vet sheshi, e përmes një hovi pulsues dhe kaotik sheshi dhe qytetari bashkë shkrihen në një.

Një tjetër përparësi që e gjejmë mësëfundmi kësaj rradhe është forma e sheshit. Ngjan çuditshëm por mbivendosja e morisë së planeve urbanistike të mirëmenduara apo jo, kish bërë që hapësira e identifikuar qendrore të ishte çuditërisht e skajshmërisht e paformë. Qendrës i mungonin kufijtë. Vijëzimi që krijojnë vetvetiu fasadat nuk është i tillë sa të arrijë t'i ofrojë sheshit aktual një llogjikë gjeometrike të saktë e të identifikuar. Për më tepër, ajo çfarë ka sot, është vetëm një mori logosh të shpërndara përgjatë e në afërsi të godinave kryesore, por të shkëputura prerazi nga hapësirat e trafikut qytetar. Ekspediendi i katërkëndëshit të insertuar në vend të këtij boshllëku, perimetri i të cilit inglobon në vetvete gjurmët e objekteve përqark, kryen jo vetëm funksion përmbledhës e përkufizues, por i bashkërendon ato sipas një llogjike qendrore dhe jo hierarkike. Kjo nënkupton që duke patur katrori brinjë të barasvlershme, objektet që aty pasqyrohen kanë edhe ato një peshë të barasvlershme dhe qytetari është i lirë të përzgjedhë pa qenë i induktuar nga simetrizma apo parapëlqime vendore. Forma e një piramide të sapondjerë (pjerrësia e brinjës është vetëm 2%) bën që vështrimi të drejtohet në mënyrë inkoshiente drejt qendrës së sheshit. Kalimtari është i tërhequr prej saj. Në atë pikë kulmore ai ka përparësinë të vëzhgojë e të kundrojë përqark. Madje, edhe lëvizja apo hulumtimi për eksplorimin e sheshit induktohet të kryhet në mënyrë rrethore përqark kësaj qendre, por natyrisht pa ndjerë nën këmbë peshën e saj. Në fakt, pjerrësia e krijuar është fizikisht e pandjeshme, dhe vetëm vizualisht e perceptueshme. Trajtimi dhe formimi i kësaj pllake me material të fortë e të qëndrueshëm, përpos karakterit urban e civik, i dhuron qytetit nje taban unik e të mirëidentifikuar.

E ndërsa kjo është tabloja e rregullt që i paraqitet ndër këmbë, në ndihmë të rregullit të kësi formuluar e të përndezjes së aktivitetit njerëzor, shërbejnë edhe dy objekte të tjera që i shtohen radhës arkitektonike qendrore. Kështu, përpos objekteve historike e të mirënjohura të sheshit, (po i përmend në sens antiorar), xhamia, Pallati i Kulturës, Hotel Tirana, Muzeu Historik Kombëtar, Banka Kombëtare, Teatri i Kukullave, Monumenti i Skënderbeut e pas tij gjithë hapësira e patkoit të ministrive dhe bashkisë, shtohen për morinë e aktiviteteve qendër qytetase edhe një godinë e re multifunksionale dedikuar rekreacionit, çlodhjes dhe argëtimit qytetar, dhe gjithashtu, një objekt tjetër, i veçantë për nga destinacioni e tipologjia si ajo e kullës qytetare (kulla civike), me një program ende për t'u përcaktuar, por me një finalitet të qartë: të dhurojë për qytetarin e thjeshtë, gjithë potencialin simbolik e kinematik, elevator të lartësive. Një mundësi sa abstrakte dhe konkrete e eksplorimit të qytetit në vertikalitet të tij.

Me fasadat e objekteve ekzistuese historike qytetari është kësisoj i mirë relacionuar. Figura të pastra gjeometrike e ndihmojnë të shquajë qartazi kufij sa planor aq edhe vertikalë, e po ashtu, nga vendndodhja e tyre e ndërsjellë është e ndihmuar edhe perspektiva. Në legant apo mbështjellje të të gjithë kësaj, shërben si sfond masivi i gjelbërimit apo natyrës që me bollëk derdhet dhe mbush gjithçka lë bosh arkitektura.

Kolagjeni natyror, me gjethnajën e vet evergreen, kryen një sërë funksionesh jetike e formale. Rreth e qark hapësirës urbane, si një portik natyror i atypëratyshem, i siguron këmbësorit strehën e pushimin e nevojshëm. Si të ishte një lloj xhepi i tërheqjes, një lloj prapakuinte, aty mund të tërhiqesh për t'u mbushur me frymë, për të çlodhur këmbët, për të shijuar freskinë në ditët me zheg, për t'u ndarë pak kohë nga natyrshmëria e zhurmave dhe mërmërimave që krijon prania e turmave, për të lexuar diçka që është marrë me vete, për të ndjekur me sy nipat që luajnë hareshëm në shesh, për të shijuar një lëng frutash, për të pirë kafenë e radhës apo për të diskutuar me fqinjin debatin gazetaresk të ditës. Nën hijen e shelgut apo të magnolias, si nën strehën e bollshme të Pallatit të Kulturës, je një spektator i improvizuar që vëzhgon përtej spektaklin rastësor e të gjallë të jetës që lirshëm pulson në shesh.

Surpriza e pellgjeve artificiale dhe e fontanave, i siguron sheshit një tjetër element jetik e themeltar të jetës. Praninë e domosdoshme të ujit. Uji është në këtë rast një katalizator i patjetërsueshëm, i ofruar në shesh, në kohë dhe intervale të ndryshme sipas formash dhe shpërndarjesh të ndryshme, ai është një termoregullator i çmuar klimaterik, në kontrast të stereometrisë statike e monumentale të të gjithë kompleksit, si dhe është elementi i dytë përveç turmës, që luan rolin dialektik të asaj që është e paqëndrueshme, fluide, jokostante, gurgulluese, dhe gjalluese në të.

Në këtë rezyme të shkurtër që përpiqet të nxjerrë në pah risitë që mëton të sjellë i ashtuquajturi plan belg për qendrën e Tiranës, i cili sapo ka filluar të implementohet, nuk duhet harruar çka është vendimtare dhe prioritare në të. Ky plan i ri nuk i mbivendoset realitetit ekzistues të qendrës, por qëndron në funksion të tij duke u përpjekur të sjellë në pah vijëzimet dhe profilin e tij më autokton dhe gjenetik. Ai qëndron në respekt të thellë të të gjitha komponenteve historike dhe arkitektonike të tij, duke u munduar të na i sjellë bashkë jo vetëm të pacënuara por të fuqizuara nën një dritë të re, ndërsa ridisenjimi i saktë i jep atë çka falë kaosit të sotëm është ende e pamundur të perceptohet. Falë kësaj ndërhyrjeje sheshi do të vijë tek ne në një përkufizim të ri e në një ridimensionim, që ia fal meritat e tij drejtpërsëdrejti vet shkallës njerëzore. Sheshi dhe qyteti bashkë, do të jenë kështu falë dhe pranë qytetarit.

KOMENTE