English

Shkozë, protestë kundër faturave të energjisë

Tiranë, 8 Prill NOA - Faturat e shtrenjta të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm kanë nxjerrë sonte në protestë para godinës së OSSH-së banorët e njësisë bashkiake numër 1 në kryeqytet. Të pranishëm në protestë kanë qenë edhe deputetët e PS, Besnik Baraj, Ditmir Bushati si edhe Kryetarja e njësisë bashkiake numër 1 Lindita Nikolla. Banorë të kësaj zone kanë bërë përgjegjëse qeverinë Berisha për situatën e vështirë ekonomike të familjeve shqiptare.

Protestuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për stabilizimin e çmimeve si dhe largimin e kryeministrit Berisha nga qeverisja. Deputeti i PS, Besnik Baraj gjatë protestës tha se "ne shikojmë një qëndrim hipokrit, tallës të kryeministrit i cili deklaroi dje me paturpësi që ekonomia shqiptare është entuziaste, kur në fakt ekonomia shqiptare rëndon në xhepat e të gjithë shqiptarëve në familjet e të gjithë shqiptarëve".

Kurse kryetarja e Njësisë Bashkiake numër 1 Lindita Nikolla tha se "ne sot jemi këtu për të protestuar ndaj kësaj qeverie që çdo ditë e më shumë po than shpresën tonë dhe të fëmijëve tanë".

Në protestë kanë folur dhe banorët: "Vendimi i qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ka dëmtuar rëndë ekonominë tonë, sepse me ato të ardhura që marrim ne nuk jemi në gjendje të përballojmë as shpenzimet ditore. Ky vendim duhet anuluar, në rast të kundërt ne do të jemi gjithmonë në shesh për të kërkuar të drejtën tonë", - tha një banor i zonës.

"Çfarë mirëqenie ka ngritur kryeministri? Dritat i ka çuar 10 fish, ujin 10 fish, pensionet përtokë, rrogat në tokë papunësia gjithandej", - theksoi një tjetër.

Kurse një tjetër banor, tregoi se ka një familje me ndihmë ekonomike dhe merr 30 mijë lekë në muaj kurse shton: "Na vijnë dritat 50 mijë lekë në muaj, me çfarë do t'i paguaj unë këto drita, djalin e kam papunë".

e.r/NOA

KOMENTE