English

Shqipëria, për herë të parë në panairin "Expo Shangai"

Shangai, 8 Prill, NOA- Historia, kultura dhe ekonomia shqiptare për herë të parë do të prezantohet në një prej panaireve më të mëdha në botë. Bëhet fjalë për aktivitetin e përvitshëm që organizohet në Shangai të Kinës ku marrin pjesë qindra vende të botës.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet të vendit tonë konfirmohet në një artikull të shkuar nga gazeta kineze në variantin anglisht, "Global Times".

Gazeta citon përfaqësuesen e delegacionit shqiptar në "Expo Shanghai" dhe drejtoreshën e agjencisë "Albinvest", Viola Puci, e cila sqaron temat me të cilat do të prezantohet Shqipëria në këtë panair.

"Tema e pavijonit shqiptar ka si qëllim të tregojë faktin se Shqipëria është në rritje dhe është gati të tërheqë investime nga bota e jashtme", ka thënë Viola Puci.

Ajo ka theksuar se ky aktivitet do të tregojë, jo vetëm potencialet që ka vendi ynë për të investuar, por edhe traditën dhe kulturën.

Aktiviteti do të filloj më 1 maj dhe do të zgjasë gjashtë muaj. Kjo është hera e parë që Shqipëria përfaqësohet në një eveniment të tillë.

Një ceremoni të veçantë Shqipëria do të zhvillojë në datën 5 maj, gjatë të cilës do të shfaqen dhe elementë artistikë të vendit tonë.

"Expo Shangai" është një prej aktiviteteve më të mëdha ndërkombëtare ku marrin pjesë vendet me teknologji më të përparuar dhe kur prezantohet fjala e fundit e teknologjisë. Por ky panair shërben edhe për promovimin e kulturave kombëtare.

m.xh/NOA

KOMENTE