English

Arrestohet vrasësi grek i pengmarrësit të autobusit, mbante pasaportë shqiptare

Ekskluzive NOA - Vetëm për abonentët

Policia greke ka arrestuar Nestor Kokalin, një ish-pjesëtar të forcave që morën pjesë në operacionin e kryer mbi pengmarrjen e autobusit nga i riu shqiptar Arben Cufaj i njohur si Aleksi Nano, i cili mbeti i vrarë pikërisht nga i arrestuari i sotëm. Korrespondenti i agjencisë NOA sjell detajet në raportin e mëposhtëm

Athinë, 11 Prill NOA - Kur i mori jetën emigrantit shqiptar Arben Cufaj, më 16 korrik 199, u konsiderua si heroi i Greqisë, pasi presupozohej se shpëtoi nga një shfarosje e mundshme një autobus plot me udhëtarë grekë që kërcënoheshin nga dy bomba dore që lëvrinin aty brenda. Nestor Kokali, të cilin ju e shihni dhe në foton kryesore të këtij raporti, është sot 41 vjeç kurse kur qëlloi për vdekje të riun shqiptar, ishte 30 vjeç dhe mori "lumë" dekoratash.

Por sot, ai është në qeli pasi ka rënë në prangat policore greke, nën akuzë që nuk ka lidhje me ngjarjen e 11 viteve më parë, por me abuzim me detyrën dhe shpërdorim të funksioneve shtetërore.

Burime zyrtare nga Sektori i Luftës kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Athinës thanë se kanë nisur hetimin në lidhje me veprat e mësipërme penale ndaj 41 vjeçarit Nestor Kokali. Po ashtu, hetime po kryhen edhe nga Shërbimi i Verifikim-Kontrollit të Brendshëm policor, lidhur edhe me faktin pse vrasësi i emigrantit shqiptar posedonte një pasaportë ndërkombëtare shqiptare.

Arrestimi i Nestor Kokalit

Nestor Kokali, njihet në Greqi si personi që arriti të shpëtojë një gjakderdhje të mundshme si rezultat i marrjes peng të një autobusi me pasagjerë më 16 korrik 1999 nga Arben Cufaj, 23 vjeç, një i ri shqiptar i njohur me emrin Aleksi Nano në Greqi. Ai kishte me vete dy bomba dore, sipas raportimeve të policisë greke në atë kohë.

Kokali hyri në mënyrë vullnetare në forcat speciale për të marrë pjesë në operacionin për neutralizimin e rrëmbimit dhe mbajtjes peng të autobusit të KTEL Kilkis në Follorinë (Florina). Pas ngjarjes, komandoja nga Volos u dekorua disa herë nga autoritetet greke.

Prej atëherë ai u vendos në një punë si përgjegjës në zyrën për dhënien e lejeve të përdorimit të armëve dhe gjuetisë.

Por sot, ai përballet me akuzat e shpërdorimit të detyrës më shumë se një herë, abuzim me të ardhurat e shtetit, falsifikim dokumentesh, të kryera më shumë se një herë.

Gjatë operacionit policor që u krye për kapjen e Nestor Kokalit, u bë dhe kontrolli i banesës së tij, ku u sekuestruan dy automatikë, pesë pistoleta, një bombë ofensive dore

pajisje të shumta të armëve ushtarake, dylbi, një numër i madh municioni të kalibreve të ndryshme, 37 vula të enteve të ndryshme publike, si të policisë, prokurorisë dhe autoriteteve të ndryshme gjyqësore, por edhe vula të subjekteve të ndryshme private.

Gjithashtu 41-vjeçarit iu gjet një pasaportë ndërkombëtare shqiptare, një librezë bankare, si dhe pesë karta identiteti të falsifikuara dhe një makinë shkrimi. Policia thotë se po heton pikërisht faktin pse ish-speciali grek,

Çfarë ndodhi më 16 Korrik 1999

Gjithçka nisi paraditen e 16 korrikut 1999 kur tre shqiptarë morën peng një autobus të KTEL Kilkis i cili u nis nga Igumenica për në Selanik.

Arben Cufaj, i njohur në Greqi me emrin Aleks Nano, një shqiptar 23 vjeçar - dy herë më parë ishte përzënë nga autoritetet greke për emigracion të paligjshëm, ishte dhe komandanti i rrëmbimit.

I armatosur mirë por edhe me dy bomba në duar, me maskë në fytyrë siç e shihni dhe nga foto e kohës, shqiptari mori peng dhe mbajti nën ankth 25 udhëtarët e autobusit për më shumë se 30 orë rresht.

Në të vërtetë, i riu kërkoi vetëm një gjë: Të udhëtonte i qetë drejt Shqipërisë me autobusin që rrëmbeu dhe këtë kërkesë ia bëri shoferit 51 vjeçar Joanis Liverxhidhi.

Gjatë orëve të pengmarrjes, Nano akuzoi një polic grek i cili siç tha i kishte rrëmbyer librezën me kursimet e nëntë viteve jetë në Greqi ku si klandestin nuk mund të kishte vetë llogari bankare. Për më tepër, polici grek i tha të riut shqiptar se i dogji dokumentet e tij.

Ndërsa autobusi gjendej afër Follorinës, ka ndaluar dhe aty kanë nisur negociatat ku mori pjesë dhe konsulli i atëhershëm i Shqipërisë në Selanik, Nikola Dhamo, kurse shefi i policisë së Korçës atëherë, Sokol Çela, lajmëroi se nga ana e palës shqiptare, ishin marrë masat për çdo eventualitet.

Rrëmbyesi kërkonte 250 milionë dhrahmi por ka pranuar të paguhet me pesë milionë për çdo peng që do të lironte. Ndërkohë policia kishte marrë 40 milionë dhrahmi në bankën e Selanikut dhe atij iu dhanë 10 milionë menjëherë sapo liroi dy pengje.

Por pak më vonë, rrëmbyesi i hodhi paratë jashtë, duke thënë se nuk i donte.

Disa minuta më vonë nis dhe operacioni. Nestor Kokali del vullnetar për t'u futur brenda në autobus pasi disa specialë thyen xhamin e një dritareje. Me një veprim të patestuar më parë nga policia greke, Kokali u fut brenda autobusit dhe iu vërsul rrëmbyesit të cilit i mori bombat nga duart. Veprimi i shpejtë pasoi një plumb në kokë duke lënë të vdekur në vend rrëmbyesin.

Pas ngjarjes, Sandër Cufaj, vëllai 16-vjeçar i Arbenit u mor në pyetje lidhur me dyshimet që policia kishte se tre shqiptarë të tjerë e ndihmuan rrëmbyesin në ndërmarrjen e pengmarrjes.

Ngjarja e 16 korrikut 1999, shokoi opinionin publik sepse vetëm pak muaj më herët, më 28 maj 1999, një tjetër shqiptar, Flamur Pisli mori peng një autobus ku mbeti i vrarë sikundër edhe një udhëtar. Atëherë, autobusi u fut deri në territorin shqiptar ku u ndoq nga policia greke.

Më 28 Maj 1999 u vra Flamur Pisli

Një rrëmbim i ngjashëm kishte ndodhur edhe më 28 maj 1999 kur 24 vjeçari Flamur Pisli mbajti peng një autobus ku humbi jetën një prej udhëtarëve të rrëmbyer. Flamur Pisli mbeti i vrarë 20 orë më pas në tokën shqiptare, nga forcat speciale greke, siç dëshmohet nga raportet e kohës.

n.s/e.r/l.n/NOA

Shënim: Ky është një prodhim i Agjencisë NOA. Mediat ftohen të respektojnë të drejtën e autorit përmes citimit të burimit NOA

KOMENTE