English

Gentiani, refugjati që u bë avokat

Nga Caterina Zanirato

Itali, 11 Prill NOA - Gentian Alimadhi, 37 vjeçar me origjinë shqiptare është bërë pas 17 vitesh qëndrim në Itali një qytetar i rregullt i këtij vendi.

Historia e tij është me të vërtetë e rrallë dhe plot peripeci për të mbërritur në këto ditë që ai mori nënshtetësinë italiane duke e pasur atë krahas asaj shqiptare.

Si shumica e bashkatdhetarëve të tij, Gentiani në moshën 20 vjeçare u nis si një refugjat për në këtë shtet duke kaluar nga Otranto nëpërmjet gomoneve që për të ishte një shpresë në jetën e tij.

Gentiani tregon se në qëndrimin e tij në Shqipëri ai ishte regjistruar në Fakultetin e Arkitekturës por, nuk mund të përballonte diçka të tillë dhe vendosi që të shkonte tek i vëllai që jetonte në Itali.

"Në fillim punoja në një fabrikë ku bëja një punë tepër të lodhshme dhe kur shikoj fotot e asaj kohe më duket vetja si një i sëmurë, por sforcimi që kalova atë periudhë u shpërblye pasi në vitin 1996 më dhanë një leje qëndrimi dhe për mua nuk kishte gëzim më të madh në atë moment", - thotë Gentiani gjatë tregimit të tij.

Emigranti i integruar, gjithashtu thotë se vazhdoi të punonte në këtë fabrikë por, dëshira e tij ishte që të regjistrohej në një universitet për të vazhduar studimet.

Gentiani po kërkonte të bënte një ndryshim në jetën e tij duke studiuar ditën, e punuar natën.

Një sforcim i madh ky për djalin që në atë moshë i rezultoi me sukses pasi në vitin 2003 ai arriti të diplomohej, ndërsa në vitin 2005 u regjistrua në një universitet i cili përmbante studimin e ligjeve.

Një ëndërr e cila po kthehej në realitet për të riun ku në vitin 2009 Gentiani merr diplomën dhe bëhet një avokat me të gjitha të drejtat e mundshme.

"Në këtë kohë arrita të njoh dhe një vajzë e cila më pas u bë bashkëshortja ime dhe më dhuroi një vajzë të mrekullueshme, emri i së cilës është Noemi", - tregon Gentiani.

Momentalisht Gentiani jeton me familjen e tij në Parma dhe ndihet tepër i kënaqur, pasi ka hapur edhe studion e tij ligjore në sheshin "Santa Apollonia 3".

Një ndër lajmet më të bukur në jetën e tij ishte dhe shtetësia që mori vetëm dy ditë më parë kur gjykata i dha atij të drejtën për të qenë një shtetas italian me të gjitha të drejtat e mundshme ku gjatë kësaj ceremoni ai u mallëngjye së tepërmi dhe për të ishte me të vërtetë një ëndërr e kthyer plotësisht në realitet.

"Tashmë ligjet i di mjaft mirë dhe do t'i zbatoj ato në mënyrë më të drejtë", - këto ishin fjalët e shqiptarit gjatë ceremonisë në të cilën ai mori të drejtën e shtetasit italian.

Djali është një shembull i vërtetë për të gjithë qytetarët italianë dhe gjithashtu për të gjithë ata persona bashkatdhetarë të tij që jetojnë në Itali.

Përktheu: Rid Bulku/NOA Marrë nga "Gazeta di Parma"

KOMENTE