English

Balla me gazetarët në dyqan: Sa janë rritur çmimet

Tiranë, 13 prill, NOA - Deputeti socialist, Taulant Balla, i ndjekur nga gazetarët, ka bërë sot pazarin, duke blerë të gjitha produktet për një familje normale dhe para kamerave ka treguar çmimin e çdo artikulli, të cilat sipas tij janë të papërballueshme për këdo familje shqiptare.

Ai ka bërë dhe një krahasim të çmimeve aktuale me ato të një viti më parë dhe ka treguar se një familje shqiptare e ka të pamundur të sigurojë ushqimin e përditshëm.

"Ky është një dyqan ku blejnë shumë familje me të ardhura mesatare dhe minimale në muaj. Po të shikoni një kile domate kushton 2500 lekë, një kile qepë 1300 lekë, një kile patate 700 lekë, një kile limona 1800 lekë, një kile mollë 1300 lekë, një kile portokalle 1200 lekë", tha ai.

Duke shtuar se "imagjinoni sesa mundësi ka një familje pensionistësh me më pak se 100 mijë lekë në muaj që të përballojë këto çmime që janë rritur dhe vazhdojnë të rriten çdo ditë".

"Ju kujtoj që një vit më parë në këtë sezon një kile domate ishte shumë më pak se 2000 lekë, sot është 2500 lekë. Një kile qepë ishte 800 lekë, sot është 1300 lekë, një kile mollë ishte 900 lekë sot është 1300 lekë, një kile portokalle në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 900 lekë sot është 1200 lekë", bëri me dije deputeti socialist.

Në fund, deklaroi se mundësia për një familje shqiptare që të përmbushë nevojat e ditës me ushqimet bazë për shkak të rritjes së çmimeve, është e pamundur.

n.e/NOA

KOMENTE