English

Bushati: PS është për integrimin e vendit në BE

Tiranë, 13 prill, NOA - Mungesa e PS-së në vendimmarrjen për procesin e integrimit të vendit në BE dhe akuzat që i bëhen opozitës për bllokim të këtij procesi, kanë sjell dhe reagimin zyrtar të selisë rozë. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati u shpreh sot se qeveria ka detyrë të garantojë standardet evropiane në vend dhe jo të akuzojë opozitën.

"Vetëm garantimi i standardeve të sipër cituara e jo propaganda boshe e kryeministrit është rruga përmes së cilës kalon integrimi i Shqipërisë në familjen Europiane.

Nëse ka sot një njeri që po na dëshmon se nuk e do demokratizimin dhe integrimin e Shqipërisë, një njeri që është përgjegjës për vonesat në integrimin e Shqipërisë dhe procesin e liberalizimit të vizave, ky është vetëm Sali Berisha", u shpreh ai.

Bushati ka rikonfirmuar qëndrimin e PS-së për integrimin e vendit duke u shprehur se "Partia Socialiste dhe opozita shqiptare kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të proceseve integruese të vendit".

Por, Bushati ka theksuar se integrimi në Bashkimin Europian nënkupton mbi të gjitha adoptimin e vlerave dhe parimeve që qëndrojnë në themel të këtij unioni. Sipas tij "në emër të këtyre vlerave e parimeve po zhvillohet sot beteja e opozitës shqiptare".

Deputeti i PS-së ka theksuar se kjo betejë është në mbrojtje të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.

m.xh/NOA

KOMENTE