English

Më 25 prill nis ndërtimi i autostradës Prishtinë-Merdare

Prishtinë, 14 prill NOA I plotë - Autostrada Prishtinë - Merdare do të fillojë të ndërtohet më 25 prill, tha sot ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj përmes një konference për shtyp. "Kontrata për ndërtimin e autostradës është kontratë e rregullt ndërkombëtare. Jemi krenarë të themi se kjo është kontrata më e mirë në rajon", tha Limaj. Ai bëri të ditura të detajet rreth fillimit të punimeve si dhe, po ashtu dha të dhënat rreth projektit të kësaj autostrade, në mënyrë që për këtë projekt madhor të jenë të informuar edhe qytetarët e vendit tonë. Ministri i Limaj tha se autostrada Vërmicë - Merdar është paraparë të jetë e gjerë 28 metra me 4 shirita qarkullues, në të cilën do të mund të kyçet çdo qendër.

"E shoh shumë të arsyeshme që edhe njëherë para jush dhe para gjithë qytetarëve të Kosovës, të potencoj që parësore për ne ishte dhe do të jetë respektimi i ligjit dhe transparenca e gjithë këtij procesi", - sqaroi Limaj.

Gjithashtu ai foli rreth historiatit, të shkurtër, mbi zhvillimet e këtij procesi duke shtuar se fillimi i vitit 2008 ishte koha kur Qeveria e Republikës së Kosovës shpalli korridorin Morinë - Merdar, zonë me interes të përgjithshëm kombëtar, ndërsa në shkurt të atij viti Kuvendi i Republikës së Kosovës e kishte miratuar këtë vendim.

Për projektin e kësaj autostrade, 33 kompani kishin shprehur interesin e tyre, nga të cilat u përpilua lista e ngushtë prej 7 kompanive më prestigjioze, sipas vlerësimit të kompanisë konsulente ndërkombëtare dhe ekspertët e ministrive përkatëse.

Më 1 dhjetor është pranuar oferta nga dy kompani. Komisioni vlerësues teknik dhe kompania këshilluese financiare për transaksionin "Eversheds" bënë vlerësimin dhe shqyrtimin teknik e financiar, dhe i rekomanduan Komitetit Drejtues Ndërministror ofertën më të mirë, në këtë rast konzorciumi "Bechtel Enka".

Më 18 janar, Qeveria duke ndjekur këtë rekomandim vendosi të nisë negociatat me këtë kompani.

Rrjedhimisht, nga data 20 janar deri më datën 24 mars, janë zhvilluar negociata intensive për çështjet teknike, financiare dhe ligjore.

Negociatat janë zhvilluar nga Kompania Konsulente "Eversheds" dhe ekspertët e ministrive përkatëse, Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave,Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, dhe Zyrës së Kryeministrit.

Sipas ministrit Limaj, të gjithë ne duhet të ndjehemi krenarë që jemi nismëtarë dhe dëshmitar të këtij projekti që do t'iu dëshmojë gjeneratave që vijnë se ne kemi menduar për ta, se kemi ditur në cilin drejtimin duhet shkuar drejtë së ardhmes më të ndritshme të tyre.

"Do t'ju dëshmojë gjeneratave që do të vijnë, se të sotmen tonë e kemi investuar në të ardhmen e tyre.

Në mënyrë që të jemi sa më korrekt dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve, mision i ynë, përveç të tjerash, do të jetë që t'ju informojmë dhe të bashkëpunojmë sa më ngushtë lidhur me të gjitha detajet e nevojshme lidhur me këtë korridor ndërkombëtar, i cili vendin tonë do ta lidhë me Evropë dhe Evropën me ne" pohoi Limaj.

***

Në këtë konferencë u bënë të ditura edhe detajet teknike të kësaj autostrade, e të cilat janë:

Standardet e projektit të Autostradës në Kosovë janë TEM (Trans European Motorway):

Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së Autostradës në Kosovë është 120 km/orë,

Aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të miratohet një shpejtësi e projektit prej 140 km/orë.

Autostrada Morinë- Prishtinë do të jetë Autostradë e sistemit të mbyllur (hyrje-daljet vetëm në kyçjet e autostradës).

Gjerësia prej 28 metra, ku do jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 m, 2 shirita për ngadalësim me nga 3.0 m si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.

Autostrada në Kosovë do të ketë mbikalime, nënkalime dhe të gjitha pajisjet e rrugës ku përfshihen:

Sinjalizimi dinamik (Display), Sistemet e komunikimit ,ndriçimin në udhëkryqe dhe barrierat kundër zhurmës.

Periudha e defekteve është 18 muaj në Kosovë, ndërsa periudha e garancionit është 6 vite.

Ministri Limaj, në këtë konferencë theksoi se data e fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj autostrade do të jetë më 25 prill të vitit në vazhdim.

a.b/NOA

KOMENTE