English

Uzina e Ferrokromit në Burrel, flasin metalurgët: Të rinisë puna

Kërkesa kryesore është rifillimi i punës në uzinë, pasi puna është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga firma italiane "Ital-Crom", duke nxjerrë në rrugë 120 metalurgë

Tiranë, 14 prill NOA / Blerina Ahmetaj - Metalurgët kanë kërkuar rinisjen e punës në uzinën e ferro-kromit në Burrel e cila prej tre vitesh nuk është më në gjendje pune. Në emër të metalurgëve, kryetari i Këshillit Sindikal të rrethit Mat, Petrit Frangu i ka bërë thirrje qeverisë të detyrojë firmën e cila ka në koncension këtë uzinë që të kryejë investimet e nevojshme dhe të rinisë aktivitetin për rreth 100 metalurgët e punësuar aty.

"Kërkesa kryesore është rifillimi i punës në uzinë, pasi puna është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga firma italiane "Ital-Crom", duke nxjerrë në rrugë 120 metalurgë. Aktualisht, 100 metalurgë paguhen me 50 për qind të pagës dhe 20 të tjerë nuk përfitojnë asgjë", thotë kryetari i Këshillit Sindikal.

Sipas tij, metalurgët e Uzinës së Ferrokromit në Burrel po përballen me vështirësi financiare pas shpalljes së falimentit të firmës "Ital-Crom", e cila ishte nënkontraktuese e koncesionarit ruso-austriak "ACR".

Firma e huaj u largua duke lënë pas probleme të thella në lidhje me investimet që kishte premtuar në prani të ish ministrit Genc Ruli, gjatë përurimit të fillimit të punës. Përfaqësuesit e Sindikatës së Metalurgëve deklarojnë se firmat që kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në Burrel vetëm sa e kanë shfrytëzuar atë, ndërkohë që nuk kanë bërë asnjë investim.

Në rast të mosplotësimit të kërkesave të metalurgëve, kryetari i Këshillit Sindikal paralajmëron nisjen e protestave masive.

b.a/e.r/NOA Shkruajini autores:

KOMENTE