English

Dell: Qeverisja e Serbisë, e mbyllur me 1244-shin

Prishtinë, 17 prill, NOA - Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka thënë në Shtërpcë se udhëheqësit e Beogradit po vuajnë nga imagjinata e varfër kundrejt Kosovës.

Duke folur rreth modeleve për Kosovën dhe Veriun e saj, të propozuara nga politikanët serbë, Dell është shprehur se zyrtarët në Beograd po përmendin ide të ndryshme, por, sipas tij, "pikërisht këto ide kanë sjellë luftëra në Ballkan".

Këto komente ambasadori Dell i ka bërë në një takim me gazetarë, pas një takimi që ka pasur me udhëheqësit komunalë të Shtërpcës.

"Mendoj se problemi në raportet Serbi - Kosovë, është varfëria në imagjinatë e liderëve të Serbisë", ka thënë ai, duke shtuar se autoritetet në Serbi kanë dëshirë që shpesh ta përmendin Rezolutën 1244, por po harrojnë se qeverisja e Serbisë në Kosovë ka përfunduar me këtë rezolutë.

Ai është shprehur se Evropa Perëndimore ka humbur kohë të gjatë duke u marrë me ide të tilla, ndërkaq ka shtuar se integrimi evropian është zgjidhja e vetme si për Serbinë ashtu edhe Kosovën.

n.e/NOA

KOMENTE