English

Emërimet në gjykata, Topi: Partitë të përmirësojnë klimën politike

Tiranë, 19 prill, NOA - Presidenti Bamir Topi ka kërkuar sot nga përfaqësuesit politik që të përmirësojnë klimën politike dhe të bashkëpunojnë për emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.

Deklarata e kreut të shtetit u bë gjatë një takimi konsultativ me një grup ekspertësh ligjorë, ku u diskutua për kriteret profesionale dhe morale që duhet të kenë kandidatët për vendet vakante.

Duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishme klimën politike për emërimet në strukturat më të larta të drejtësisë, Topi kërkoi dhe një herë vëmendjen e drejtuesve të partive parlamentare.

"Për shkak të kësaj rëndësie, kam qenë i hapur dhe u kam bërë thirrje konstante partive parlamentare që t'i kushtojnë gjithë vëmendjen e duhur përmirësimit të klimës politike, me qëllim krijimin e një shtrati bashkëpunimi për këto emërime. Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit. Ajo duhet të jetë e harmonizuar për gjëra madhore!" , u shpreh kreu i shtetit.

Në takimin me personalitetet më të njohura të drejtësisë, kreu i shtetit vlerësoi se është e nevojshme ti kushtohet rëndësi profilit të njerëzve që do të punojnë në institucionet e drejtësisë.

"Ky proces konsultimi, në vijim të asaj tradite të mirë të krijuar tashmë, nuk është një proces mekanik, por një domosdoshmëri për evidentimin dhe vlerësimin e atyre elementëve që përbëjnë integritetin e duhur moral dhe kapacitetin më të mirë profesional në ushtrimin e funksionit të nderuar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë", u shpreh Topi.

Grupi i ekspertëve përbëhej nga këshilltarët juridikë të Presidentit si dhe nga: Marjana Semini, drejtore e shkollës së Magjistraturës; Artur Kalaja, Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve; Manjola Bejleri, Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve; Prof. Dr. Skënder Kaçupi, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë; Prof. Dr. Aleks Luarasi; Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, njofton zyra e shtypit e presidencës.

m.xh.NOA

KOMENTE