English

Topalli: Vizat hiqen brenda vitit, opozita të kontribuojë

Tiranë, 19 prill, NOA - Pas takimit në Sofje, ditën e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO-s nga parlamenti bullgar, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe ish-kryetari i parlamentit të Bullgarisë Georgi Pirinski, janë ritakuar në Tiranë në një realitet të ri.

Kjo pasi Shqipëria tashmë është prej një viti anëtare e NATO-s, është pranë vendimit për heqjen e vizave, ka dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të KE-së dhe pret opinionin e Këshillit për statusin e vendit kandidat.

Nga ana e tij, tashmë si nënkryetar i parlamentit bullgar, Pirinski i përcolli Kryetares së Kuvendit vijimin e përkrahjes miqësore për arritjen e ambicieve integruese të Shqipërisë.

Ata ndanë mendimin se Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende ballkanike që gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, do të ngrenë në nivele edhe më të larta bashkëpunimin politik, parlamentar dhe ekonomik.

Duke folur për situatën në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit tha se vendi po përjeton një dinamikë të re në historinë e tij të integrimit.

"Në parlament po vijojmë të punojmë fort për miratimin sa më shpejt të të gjitha ligjeve, detyrim për heqjen e vizave dhe përshpejtim të rrugës drejt BE-së.

Si kryetare e Kuvendit, do të kisha dashur shumë që edhe opozita të bëhej pjesë e këtyre proceseve të mëdha.

Janë kohëra, kur opozita duhet të shohë përtej axhendës personale të dikujt e të marrë rolin e vet duke kontribuar në realizimin e aspiratave të shqiptarëve", mësohet të jetë shprehur Topalli.

Ndërsa ka vënë në dukje faktin se "shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur dhe ne po bëjmë të gjitha përpjekjet përmes reformave, ligjeve dhe lobimit me vendet e BE-së për lëvizjen e lirë dhe ribashkimin në familjen evropiane".

"Vlerësimin e përpjekjeve tona e kemi marrë gjithnjë e më të fortë nga vendet e BE-së , nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian, Këshilli i Europës e të tjerë faktorë të politikës ndërkombëtare. Ndaj dhe jemi optimistë se brenda vitit shqiptarët do të dalin nga izolimi e do të lëvizin pa viza në Europë, e po ashtu, ata do të jenë së shpejti, ashtu siç janë anëtarë të NATO-s, edhe anëtarë të familjes me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta, Bashkimit Europian", ka pohuar Topalli.

n.e/NOA

KOMENTE