English

Një milion euro për Landeslease në mbështetje të ekonomisë reale

English Version

BERZH mbështet shoqërinë e leasing në Shqipëri

Tiranë, 22 Prill NOA - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po mbështet zhvillimin e sektorit të leasing (qirasë financiare) në Shqipëri me një hua prej 1 milion Euro për Landeslease, e cila do të përdoret nga shoqëria për të zgjeruar shërbimet e saj për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).

Në një periudhë ku bizneset përballen me mundësi të limituara për mekanizma financues, leasing shërben si një burim alternativ financimi për zhvillimin e NVM-ve, të cilat janë vendimtare në transformimin strukturor të ekonomisë. Sektori i leasing në Shqipëri është akoma në fazat e hershme të zhvillimit duke përfaqësuar vetëm një për qind të PBB-së së vendit.

E krijuar në vitin 2005, Landeslease është shoqëria e parë e leasing e pavarur në Shqipëri. Shoqëria po përqendrohet kryesisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ka eksperienca të shkuara në leasing për automjetet, pajisjet dhe makineritë.

Linja e kredisë së BERZH-it do të ndihmojë Landeslease të zgjerojë bazat e saj të financimit dhe do të mbështesë shoqërinë në aktivitetin e saj për të siguruar mjete financuese më të arsyeshme për NVM-të në Shqipëri. Gjithashtu, projekti do të shërbejë si një shembull pozitiv për shoqëritë e reja leasing për të konsideruar hyrjen në tregun shqiptar, duke rritur zhvillimin e sektorit të leasing.

"Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, BERZH po ndihmon Landeslease të zgjerojë portofolin e saj për leasing dhe të përmirësojë mundësinë e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri", - u shpreh Daniel Berg, Drejtor i Zyrës së BERZH-it në Tiranë.

"Mbështetja financiare e siguruar nga BERZH-i u mundësua në sajë të performancës të mirë të Landeslease, dhe na jep një nxitje të madhe për të vazhduar strategjinë tonë të zhvillimit që synon të sigurojë zgjidhje financiare për të plotësuar nevojat e bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri" u shpreh Altin Saliasi, Drejtor i Përgjithshëm i Landeslease.

Që në fillim të veprimtarisë së saj në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 550 milion Euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, duke mobilizuar investime shtesë prej më shumë se 1 miliard Euro.

BERZH kontrollohet nga 61 shtete dhe dy institucione ndërqeveritare dhe mbështet zhvillimin e ekonomive të tregut dhe demokracive në shtetet nga Europa Qendrore në Azinë Qendrore.

e.r/NOA
KOMENTE