English

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në fushën legjislative

Tiranë, 22 prill, NOA - Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës do të intensifikojnë bashkërendimin e punës, kryesisht në fushën e hartimit të ligjeve. Përfaqësues të Komisionit të ligjeve të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Bahri Hysenaj, ishin sot në zyrën e Kryetares së Kuvendit e më pas në komisionin e ligjeve, ku diskutuan për shfrytëzimin e të gjitha mundësive për një bashkëpunim në kuadrin legjislativ.

Delegacioni parlamentar i Kosovës shprehu interes për marrjen e përvojës nga Kuvendi i Shqipërisë në hartimin e legjislacionit bazë, por në mënyrë të veçantë për përafrimin e ligjeve të brendshme me legjislacionin europian.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se Kuvendi i Shqipërisë mbetet i hapur për dhënien e përvojës, jo vetëm në çështjet ligjore por edhe të çdo interesi në shërbim të bashkëpunimit për konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve në Kosovë.

Topalli vlerësoi punën e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës në ecjen e shpejtë me hapa të sigurt në forcimin e shtet të së drejtës dhe demokracisë.

Duke folur mbi agjendën parlamentare, Kryetarja e Kuvendit tha se rreth 150 ligje të kaluara në këtë fillim legjislature janë pjesë e rëndësishme , jo vetëm e plotësimit të detyrimeve për heqjen e vizave dhe përafrimit me BE-në, por edhe bazë e reformave të mëdha ligjore e ekonomike.

Deputetët e Kosovës thanë se në çdo vizitë të tyren në Shqipëri shohin gjithnjë e më shumë transformimin dhe "ecjen galopante infrastrukturore dhe ekonomike të Shqipërisë duke e konsideruar një model zhvillimi".

m.xh/NOA

KOMENTE