English

2K Group: Tatimorët, mbi 1 milionë USD gjoba të padrejta ndaj nesh

Tiranë, 26 prill, NOA - Mbi 1 milion dollarë detyrime dhe gjoba të padrejta e abuzive i janë vendosur deri tani nga autoritetet tatimore shoqërive të "2K Group", e në veçanti gazetës "Shekulli", si një formë presioni prej kryeministrit për të kufizuar dhe kontrolluar lirinë e saj botuese.

Kështu deklarojnë në një njoftim për shtyp, drejtuesit e kësaj kompanie, lidhur me 26 kontrollet e ushtruara nga tatimorët që nga fundi i muajit dhjetor 2009 në ndërmarrjet që janë në pronësi të biznesmenit Koço Kokëdhima.

Këto sipas tyre, janë 10 herë më shumë, krahasuar me periudhat e mëparshme apo me mesataren në rang vendi.

"Këto kontrolle bëhen me synimin e qartë për t'u bërë presion mediave objektive dhe opozitare të "2K Group" e në mënyrë të veçantë, gazetës Shekulli", citon njoftimi.

Duke shtuar se "nga deklarimet jozyrtare të inspektorëve tatimore, mësohet se ata marrin udhëzime dhe raportojnë pranë një strukture të jashtëligjshme të krijuar me porosi të kryeministrit Berisha dhe prej të cilës nuk kanë varësi administrative, që drejtohet nga Agim Shehu, ish-gjenerali famëkeq i vitit 1997".

n.e/NOA

KOMENTE