English

Beçaj-Hrvatin: Standardet e BE kërkojnë cilësi të sistemit gjyqësor

Tiranë, 26 prill, NOA - Respektimi i të drejtave të njeriut është një nga pikat kyçe dhe mjaft të rëndësishme, të cilit gjyqësori në përgjithësi po i kushton vëmendje maksimale në mënyrë që të arrihen standardet e shumëkërkuara evropiane.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin para homologes së tij shqiptare, Shpresa Beçaj, në një takim të përbashkët në Tiranë.

Sipas tij, Gjykata e Lartë e Kroacisë ka tashmë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, duke theksuar se kjo marrëdhënie shkon më larg se një miqësi e zakonshme mes dy shteteve, pasi mbi të gjitha ka në thelb të saj bashkëpunimin mes dy gjykatave të larta.

Sipas tij, këto takime kanë në plan të parë shkëmbime të ndërsjella të eksperiencave të veçanta të secilit prej shteteve, në mënyrë që të dyja palët të mësojnë nga gabimet dhe arritjet e njëri-tjetrit.

Nga ana e saj, Beçaj u shpreh se ky bashkëpunim mbi të gjitha është në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve, të cilët duhet të kenë besim maksimal në organet e drejtësisë, por edhe në interes të gjithë rajonit.

n.e/NOA

KOMENTE