English

Faturat e pashlyera, Dollapi: Paguani ose do ju presim ujin

Tiranë, 26 Prill NOA/ Blerina Ahmetaj - Rreth 18 200 qytetarë të kryeqytetit nuk shlyejnë prej kohësh faturat e ujit pasi nuk ato nuk u vijnë fare në shtëpi. Ky fakt është pranuar nga drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Sait Dollapi, i cili në një deklaratë për mediat tha sot se deri tani si pasojë e faturave të pashlyera, borxhi që konsumatorët i kanë ndërmarrjes është 1.5 miliardë lekë ndaj për këtë ai ka shkarkuar nga detyra 11 faturistë.

"Në bazë të të gjithë verifikimeve që grupet e punës kanë bërë në terren, në praninë e ankimuesve, është konstatuar se në shumicën e matësve të qytetarëve që janë ankuar, ka gjendje uji të pafaturuar. Kjo vjen si pasojë e akumulimit të sasisë së konsumuar, e cila nuk është faturuar nga faturuesit ndër vite", - tha z.Dollapi.

Ai theksoi se ankimuesve i është shpjeguar se kjo është një përgjegjësi e Ujësjellësit, që vjen si pasojë e moskorrektësisë në punë të punonjësve, faturuesve dhe drejtuesve.

Nga një verifikim që ka kryer Ujësjellësi gjatë muajve janar-shkurt, ka rezultuar se rreth 9 335 konsumatorë paguajnë më shumë se çfarë konsumojnë, ndërsa 4 270 të tjerë kanë gjendje uji në matës, të gjitha këto tregues të moskorrektësisë së punonjësve të ujësjellësit.

Drejtori i Ujësjellësit u ka kërkuar ndjesë qytetarëve dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje atyre të shlyejnë detyrimet që i kanë ndërmarrjes pasi në të kundërt do tu pritet furnizimi me ujë.

Dollapi ka theksuar se prerja e ujit do të jetë individuale dhe jo kolektive. Në fund të deklaratës, kreu i Ujësjellësit, Dollapi, ka kërkuar që në çdo rast problemi me faturat, qytetarët të kontaktojnë me specialistët e saj.

Nga 1 prilli, çmimi i ri i ujit të pijshëm në Tiranë është 33 lekë, nga 20 lekë që ishte më parë. Qytetarët s'e kanë pritur aspak mirë rritjen e çmimit, pasi përveç problemit të faturave, në shumë zona ka ende probleme të furnizimit me ujë të pijshëm.

b.a/r.n/NOA Shkruajini autores: blerina.ahmetaj@noa.al

Më shumë lajme Sociale

KOMENTE