Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:14094458:SSL routines:ssl3_read_bytes:tlsv1 unrecognized name in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shtëpia me rrota , gati premiera në teatrin Skampa
English

"Shtëpia me rrota", gati premiera në teatrin "Skampa"

Elbasan, 26 prill, NOA /Milena Selimi - Korale antike. Aromë Rusie. Mallkime, sirena alarmi, kukuvajka që paralajmërojnë fatkeqësi, zhurma trenash dhe sirena vaporësh që shkojnë dhe vijnë.

Prej dy muajsh këto janë efektet që dëgjohen në skenën e teatrit "Skampa" të Elbasanit, ku trupa e aktorëve profesionistë është në përgatitjet e fundit të veprës "Shtëpia me rrota", me autor-regjisor Erand Sojlin.

Kjo dramë do të ketë premierën e saj në datën 28 prill 2010, në interpretimin e aktorëve: Veronika Papa, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Rina Narazani, Xhemal Sojli, Hilmi Belshaku, Rezart Veleshnja, Roland Saro.

Lojë në presion dhe atmosferë çehoviane. Njerëz që vegjetojnë dhe fshihen pas gishtit. Personazhe që mendojnë ndryshe dhe veprojnë krejt ndryshe.

Një batutë shumë e çuditshme, e çon diku larg spektatorin. …"Dje isha në Moskë"… Kjo është dhe si pikë referimi në një kthim në të shkuarën…

"Shtëpia me rrota" është një pjesë që është shkruar 10 vjet me parë dhe është vlerësuar nga kritika dramaturgjike (Josif Papagjoni) për idenë e veçantë që përçon dhe gjetjen e saj origjinale.

Vepra nuk identifikon një kohë të caktuar, një vend të caktuar, apo personazhe të caktuara.

Autor-regjisori Erand Sojli, i ka përcaktuar qartë këto personazhe duke i emërtuar me emrat e lumenjve që përshkojnë lindjen.

Ai shprehet për NOA se "të gjithë jemi pjesë e dy kohëve: Diktaturës dhe Tranzicionit. Të gjithë e dimë dhe jemi të ndërgjegjshëm se koha të cilën jetojmë nuk na përket. Kur them nuk na përket nuk e kam fjalën për ne shqiptarët, por për të gjithë Evropën Lindore. Kam patur si qëllim të ngre një pyetje shumë të thjeshtë. A ndodh vërtetë kështu? Kjo është e vetmja pyetje që ne do t'i japim zgjidhje".

Historia është e njëjtë. Një familje e persekutuar e cila më parë ka qenë pjesë e elitës. Ka kontribuar fuqishëm në vendosjen e sistemit të barazisë, i cili rezultoi të ishte utopi. Kjo familje nuk është një familje si gjithë të tjerat. Ajo ka në themel të saj zhgënjimin, frikën dhe ndarjen e thellë . Personazhet kanë vetëm një drejtim. Të shpëtojnë, ose më keq akoma, mos t'u shtohet dënimi në këtë internim. Ata vijnë nga një jetë bllokmenësh dhe janë katandisur në një barrakë. Janë të terrorrizuar nga finesa dhe edukata e persekutorëve të tyre. Ata asnjëherë nuk e dinë çdo të sjellë e nesërmja. Dhe si rrjedhojë e këtij veprimi është logjike që në kushtet e represionit njerëzit binden dhe bindja kthehet në mënyrë jetese.

Jo pa qëllim autori na jep si pikë referimi Moskën. Moska është simbol i klasikëve, i frymëzimit, i durimit dhe i suksesit. Por edhe i diktaturës me një ndikim aq të fortë sa ndau Botën në Dy pjesë. Nga Moska u nisën të gjitha ëndrrat që u shndërruan në makabritete.

Sojli rrëfen se "për rreth një orë e njëzet minuta duhet të mendoni si Lindorë dhe aspak si shqiptarë. Kjo është arsyeja që fjalori i personazheve nuk është zhargon, por ka në thelb të tij politesën. Duke e parë tekstin jo si autor, por si një aktor unë do ta përkufizoja me dy fjalë këtë vepër si shumë të vështirë. Titulli ndryshe do të ishte "Shtëpia e dhelprave" , sepse personazhet janë të gjithë dinakë".

Ish-burri i Vollgës (funksionar i lartë, i pari pas diktatorit, i pushkatuar nga lufta për pushtet), Danubi ish -partizan dhe kryetar i Lidhjes së Artistëve, kanë kontribuar për këtë sistem. Edhe ata kanë mëkatet e tyre, sepse kanë luftuar që të vendoset diktatura. Ata nuk kanë asnjë të drejtë të hakmerren kundër idealit te tyre.

Fëmijët e tyre, Vanesa e çmendur dhe Drini me ëndrra të parealizuara vuajnë luftën e klasave që kanë firmosur prindërit e tyre. Atëherë, cila është hakmarrja kundrejt realitetit lindor që la pushtetin politik dhe zotëron atë ekonomik? Pikërisht kjo pjesë është hakmarrja e vërtetë e të gjithë atyre që vuajtën padrejtësisht nga sistemi. Hakmarrja në skenën e një teatri hidhet nga autori Sojli si variant ëndrre.

Skenografia do të realizohet nga Kastriot Roshi, i cili në bashkëpunim me regjisorin na afron tek simbolet.

Degradimi i personazheve jepet nëpërmjet simbolikës së shtëpisë, e cila është konceptuar të jetë një skelet trarësh ku aktorët të mos të kenë hapësira veprimi. Ata do të jetojnë mbi trarë, me litarë që varen. Ngushtë.

Represioni i fillimit ngadalë shndërrohet në një ambient tjetër, i cili ka formën e një shtëpie luksoze. Për të përfunduar në fund me mallkimin e famshëm audio të personazhit- Seman dhe trarët që shkatërrohen plotësisht.

Autori na kujton se ndryshimi nuk është tek sistemi, por tek karakteret e gjithsecilit, janë ata që bëjnë edhe vetë sistemet.

"Unë jam i vetëdijshëm për vështirësinë që ka kjo pjesë. Por duke besuar në stafin e aktorëve, në aftësitë e tyre interpretative do të thoja vetëm që nuk duhet dramatizuar drama, nëse na vjen për të qeshur le të qeshim. Personazhet jo vetëm qajnë nga halli, por edhe qeshin nga pamundësia për të dalë nga ky absurd", - na kujton autori.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE