English

Deklarata e KiE, Topalli: Rama ta lexojë me seriozitet

Tiranë, 27 prill, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh sot se mundësia për të hetuar zgjedhjet, duke ankimuar vendimin për kutitë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas më Komisionin e Venencias është një konçension që i bëhet kreut të PS-së.

Në një deklaratë për mediat Topalli theksoi se vendi nuk duhet të humbasë mundësinë e integrimit dhe duhet të eci para duke mos u bërë peng e krizave.

Topalli falenderoi Këshillin e Europës dhe Asamblenë Parlamentare, për vëmendjen dhe përkushtimin e këtij institucioni ndaj situatës politike në vend, ç'ka u shpreh me deklaratën e djeshme.

Topalli vlerësoi se kjo është një deklaratë që vjen pas rezolutës së Këshillit të Europës, vizitës së Komitetit Presidencial dhe deklaratave të tyre këtu në Shqipëri.

"Është një deklaratë që është në të mirën e Shqipërisë që kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjvënës, e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit", tha Topalli.

Ajo shtoi se deklarata është dhe një masazh i qartë për opozitën që të kërkojnë mendimin e institucioneve ndërkombëtare. Sipas saj Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e gjithë kryetarëve të grupeve, "i dhanë një mundësi tjetër konçensioni, zotit Edi Rama duke i thënë se nëse ke kontestime në interpretimin e ligjit rruga shkon përmes Gjykatës Kushtetuese dhe nga Gjykata Kushtetuese i kërkohet mendim Komisionit të Venecias".

Topalli shtoi se mazhoranca e mbështet këtë propozim, i cili vjen "pas konçensioneve të tjera të shumta të bëra nga mazhoranca qoftë edhe duke iu drejtuar institucioneve të tjera kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese, Komisioni i Venecias qoftë duke iu drejtuar Prokurorisë, të gjitha këto institucione të japin mundësi që të shkosh edhe në hapjen e kutive".

Ajo vlerësoi se vendi është në një moment sfidash, që kanë lidhje me ngjarje të jashtëzakonshme. "Është rasti që partia më e madhe opozitare ti përgjigjet kësaj apsirate të kombit shqiptar, të votuesve të tyre dhe të prirjes për të cilën 96 % e shqiptarëve e kërkojnë, e duan, e kanë qëllim, e kanë objektiv dhe do t'ja arrijmë", tha Topalli.

m.xh/NOA

KOMENTE