English

Përndjekje e shumëfishtë ndaj VETËVENDOSJE!-s

Teksa qytetarët që morën pjesë në ceremoninë mortore për Ali Aliun, po ktheheshin nga varrimi i tij, ky njësit i armatosur për ndërhyrje të jashtëzakonshme, filloi ndaljen e veturave. Ata synonin arrestimin e Albin Kurtit, sepse iu vërsulën pikërisht veturës ku gjendej ai. Qytetarët ndalën veturat e tyre, dolën nga to, dhe filluan mbrojtjen e Albin Kurtit nga arrestimi

Nga Komiteti i VETËVENDOSJE!-s për Politikë dhe Çështje Juridike

Gjyqësia aktuale e Kosovës në duart e EULEX-it po e zgjeron e thellon persekutimin e VETËVENDOSJE!-s. Përveç që po e vazhdojnë në baza të rregullta gjykimin e padrejtë kundër Albin Kurtit, tash filloi edhe procesi kundër aktivistëve të arrestuar të VETËVENDOSJE!-s në ndërhyrjen e dhunshme të policisë pas varrimit të veprimtarit Ali Aliu në ditën e hënë.

Të hënën ishte njësia speciale e Policisë së Kosovës e cila ishte urdhëruar për rrethimin e vendvarrezave në kryeqytet në përpjekje për arrestimin e udhëheqësit të VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti, pas një fletëarresti të lëshuar nga EULEX-i. Teksa qytetarët që morën pjesë në ceremoninë mortore për Ali Aliun, po ktheheshin nga varrimi i tij, ky njësit i armatosur për ndërhyrje të jashtëzakonshme, filloi ndaljen e veturave. Ata synonin arrestimin e Albin Kurtit, sepse iu vërsulën pikërisht veturës ku gjendej ai. Qytetarët ndalën veturat e tyre, dolën nga to, dhe filluan mbrojtjen e Albin Kurtit nga arrestimi.

Gjatë kësaj ndërhyrjeje të ligë mu në këtë ditë dhe mu në këtë rast, njësia speciale e policisë ushtruan format më brutale të dhunës fizike. Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s dhe qytetarët e pranishëm gjatë këtij konfrontimi me ndërhyrjen policore, goditeshin me grushte e shqelma, shkopinj metalikë e sprejë lotsjellës, si dhe përplaseshin përtokë. Si pasojë e kësaj pësoi lëndime trupore aktivisti Salih Zyba. Policia atë ditë arrestoi shtatë aktivistë të VETËVENDOSJE!-s. Katër prej tyre u rrahën edhe brenda stacionit policor në Prishtinë.

Sot, këta aktivistë të arrestuar - Salih Zyba, Frashër Krasniqi, Hysen Durmishi, Lirim Gashi, Gëzon Kastrati, Arsim Maqastena dhe Arben Selmani, u sollën në Gjykatën Komunale të Prishtinës. Të gjithë u akuzuan nga prokuroria për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e punëve të tyre, përveç aktivistit Hysen Durmishi, i cili u akuzua për sulm mbi personat zyrtarë, në këtë rast ndaj policëve. Hysen Durmishit iu caktua masa e arrestit shtëpiak, kurse ndaj gjashtë aktivistëve tjerë është urdhëruar masa e paraqitjes në stacionin policor dy herë në jave, çdo të hëne dhe çdo të premte prej ores 12:00 deri në 14:00.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon persekutimin e shumëfishtë që po na bëhet. Hysen Durmishi nuk ka sulmuar askënd, por në mënyrë tejet legjitime, ashtu sikurse shumë aktivistë, veprimtarë e qytetarë të thjeshtë, nëpërmjet reagimit të tij, e ka mbrojtur Albin Kurtin nga padrejtësia e EULEX-it, si dhe ka mbrojtur dinjitetin e moralin shqiptar përballë një ndërhyrjeje të dhunshme pasi njerëzit po ktheheshin nga varrimi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një prononcim për media sot theksoi se ai nuk kishte dhënë urdhër për ndërhyrjen e së hënës. Nëse vërtet ka qenë kështu, atëherë, Bajram Rexhepi duhet t'ua shpjegojë qytetarëve të Kosovës qysh ministria të cilën ai e drejton, nuk e kontrollon Policinë e Kosovës. Nëse ka dhënë urdhër, thërrasim që të bëhet i sinqertë. Policia e Kosovës nuk duhet të merr urdhra nga EULEX-i për përndjekjen e qytetarëve të Kosovës.

(*) Dërguar nga Vetëvendosje, Prishtinë, 28 prill 2010

KOMENTE