English

Masterat, Tafaj: Kusht themelor, anglishte e certifikuar jashtë

Tiranë, 29 prill, NOA- Që të kryesh studimet master në vendin tonë pas përfundimit të universitetit, kusht tashmë do të jetë gjuha angleze e certifikuar nga qendra të njohura ndërkombëtare si TOEFL.

Vendimi u mor dje nga qeveria, ndërsa sot ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj shpjegoi ndryshimet që do të pësojë ligji për Arsimin e Lartë në lidhje me studimet master. Sipas Tafaj, këto ndryshime synojnë të rrisin cilësinë e studentëve që do të ndjekin këtë cikël studimesh.

“Në universitetet tona nuk do të ketë më master të nivelit të dytë ndërkohë që cikli i dytë i studimeve do të ndahet në master me orientim profesional dhe në master shkencor.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve cikli i parë i studimeve universitare do të mbajë termin ndërkombëtar Bachelor”, theksoi ministri Tafaj, ndryshe nga kërkesa e kryeministrit Berisha për ti gjetur këtij termi një emërtim ekuivalent në shqip.

Sipas MASH, edhe ky cikël do të ndahet në dy pjesë, Bachelor me orientim profesional dhe Bachelor shkencor.

Ndërsa përsa i takon numrit të pedagogëve që do të japin mësim në studimet master, kryeministri Berisha deklaroi dje se duhet rregulluar raporti student-pedagog.

Sipas tij, brenda 4 viteve u trefishua pothuajse numri i studentëve, por nuk është trefishuar numri i pedagogëve.

“Ne me një vendim rreth një apo dy vjet më parë shtuam një mijë vende të reja pune në universitete. Tani ne nuk duhet të ecim në këtë mënyrë, por mbi bazën e të ardhurave që ato realizojnë dhe në rast nevoje edhe të ndërhyrjes sonë, ata duhet të marrin mbi bazën e ngarkesave të reja, duhet të rekrutojnë, në procedurë transparente, numrin e pedagogëve që iu duhen për studime, kërkime, mësimdhënie, diploma, etj”, u shpreh dje Berisha.

b.a/NOA

KOMENTE