English

Analistët: Ndërkombëtarët ende po e kursejnë Gruevskin

Shkup, 30 prill, NOA - Qarqet politike shqiptare, por edhe analistët politikë vlerësojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të fokusohet më shumë në presionet e shtuara ndaj kryeministrit Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij, se sa të merren me subjektet politike shqiptare, që janë inferiore dhe pa vendim marrje në qeveritë e këtij vendi.

Projektet e vazhdueshme provokuese qeveritare ndaj shqiptarëve janë faktorët dominantë që rëndojnë situatën dhe rrisin shkallën e zhgënjimit tek shqiptarët.

Publicisti Nijazi Muhamedi vlerëson se deklarata e ndërkombëtarëve është një tallje e paturpshme ndërmiqësore dhe ndërkombëtare me shqiptarët. “Kjo mund të theksohet se nuk është problemi i moszgjidhjes së Marrëveshjes së Ohrit e cila edhe ashtu nuk është asgjë, por Marrëveshja e Ohrit pikërisht nga misioni ndërkombëtarë këtu në Maqedoni është në shërbim të rrumbullakimit të etno-centrizmit maqedonas me konstituimin e shteti kombëtarë maqedonas”, ka theksuar analisti Njazi Muhamedi.

Sipas tij, kjo tregon se nuk është Maqedonia në krizë, por është koncepti evropian në krizë, për arsye se në tash në emër të Marrëveshjes së Ohrit realizohen disa politika gjuhësore dhe të tjera që ishin aktuale në kohën e zhbërjes se ish-Jugosllavisë në vitet ’80.

“Është më shqetësuese sepse çdo gjë që do të ndodhë në Maqedoni, shenjat janë që do të ndodh diçka, përgjegjësinë do ta kenë misionet e Unionit Evropian, sepse ata deri tash kanë shërbyer si mbështetje e drejtpërdrejtë e etno-centrizmit maqedonas që ushtron Gruevski”, ka theksuar Nijazi Muhamedi, për agjencinë e lajmeve INA.

Ish-deputeti Ismet Ramadani thekson se institucionet, sidomos qeveria duhet të marrë parasysh seriozisht apelin e ndërkombëtarëve.

“Deklarata e përbashkët e ambasadorëve, duhet të lexohet mirë nga subjektet politike dhe nga udhëheqja e shtetit sidomos nga qeveria që të vetëdijesohen të gjithë ata të cilët merren me politikë dhe marrin vendime politike”, ka theksuar Ramadani.

Ligjëruesi universitar, Osman Kadriu, thekson se bashkësia ndërkombëtare duhet të pastrojë dilemat, sepse kemi një qasje kontradiktore mes shqiptarëve dhe maqedonasve në institucione, ku njëra palë thotë se nuk është realizuar Marrëveshja e Ohrit, ndërsa pala tjetër thotë se ajo është çështje e përfunduar.

“Këtu lindin shumë pikëpyetje se çfarë do të bëhet dhe se a duhet të definohet pozita e shqiptarëve pas nëntë vite të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit”, thekson Kadriu, duke shtuar se pikërisht është kryeministri Nikolla Gruevski, presidenti Gjorgje Ivanov që nuk angazhohen në përshpejtimin e procesit të mbylljes së kësaj marrëveshje.

NOA-INA

KOMENTE