English

Edi Rama: Ngujimi ynë, pse s’ka lidhje me grevat e mëparshme

Tiranë, 2 Maj NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, duke folur sot gjatë vizitës në çadrat e grevistëve të urisë, deklaroi se ky ngujim nuk ka asnjë lidhje me të tjerat që janë zhvilluar këto 20 vitet e fundit.

Z. Rama, në radhë të parë si paraqitet shëndeti i grevistëve, deputetëve edhe qytetarëve?

Besoj se kjo, është vërtet një gjë shumë e rëndësishme, por njoftimet e dhëna herë pas here, që janë njoftime të bëra nga mjekët, janë të njohura dhe gjëja që dua të nënvizoj unë përtej përgjigjes së thjeshtë se jemi ende në një fazë të pranueshme nga pikëpamja shëndetësore, është që edhe sot i kam takuar një për një të gjithë pjesëmarrësit në këtë grevë.

Kam konstatuar atë që dua ta përcjell për të gjithë opinionin publik, për të gjithë qytetarët, vendosmërinë për ta çuar deri në fund këtë sakrificë, si një përpjekje që nuk ka të bëjë fare me shumë përpjekje të të njëjtës natyrë që janë bërë në të shkuarën dhe që e kanë degraduar kuptimin dhe imazhin e këtij institucioni sublim të rezistencës paqësore. Kjo është një grevë urie reale, transparente, në sytë e publikut dhe të mediave, ku të gjithë janë të pranishëm sepse besojnë, siç beson gjithë ai popull që u derdh si një det në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, një det proteste dhe siç besojnë të gjithë ata që nuk mundën të jenë aty, por që nuk kanë munguar të na shprehin mesazhet e tyre të solidaritetit.

Është një besim tek një kauzë e drejtë, tek një kauzë e cila ka të bëjë me një aspiratë themelore të patjetërsueshme për një shoqëri, që nuk e fal, nuk e shet, nuk e negocion lirinë e vet, transparencën e zgjedhjeve. E përsëris, jo për të marrë pushtetin në tavolinë, por për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të vriten nga e njëjta armë e korrupsionit që sot vazhdon të qëndrojë e fshehur në kutitë e mbyllura të 28 qershorit.

Për herë të parë pa limit, për herë të parë në të gjithë Shqipërinë është deklaruar sot. Është kjo një formë historiku që do të bëjë PS, është për herë të parë në historinë 20 vjeçare?

Ka pasur një herë të parë, ka qenë greva e mbetur në pjesën e mbrapme të historisë së pluralizmit, ajo e studentëve, e cila u shpall për të hequr emrin e diktatorit Hoxha nga universiteti i Tiranës, por që në fakt ishte mishërimi i një aspirate të madhe për liri, demokraci reale. Dhe sot jemi në një grevë e cila përsëri është një grevë për një aspiratë të madhe për liri dhe për demokraci reale. Është një institucion sublim i rezistencës paqësore, por nuk është e vetmja pjesë e protestës sonë, është zemra e protestës sonë. Protesta jonë do të vazhdojë të përshkallëzohet në të gjithë Shqipërinë, ditë pas dite dhe ne nuk do të ndalemi.

Ka patur një reagim të policisë së shtetit lidhur me protestën që po bën opozita, është përmendur edhe një dispozitivë e kodit penal, e keni një përgjigje?

Unë nuk dëshiroj në asnjë mënyrë të përziej policinë e shtetit në këtë debat dhe po të doni dhe ta quajmë edhe konflikt. Ky nuk është një konflikt mes një force që kërkon pushtetin dhe shtetit që ka edhe policinë në funksion të pushtetit që është sot në fuqi. Ky është një konflikt mes një populli që kërkon një të drejtë elementare dhe një pushteti që e refuzon këtë të drejtë dhe që unë uroj dhe shpresoj të mos e përdor policinë e shtetit, e cila është një pasuri kombëtare që ka pësuar dëme të jashtëzakonshme në të shkuarën. Numëron në gjirin e saj shumë heronj dhe viktima që kanë rënë në krye të detyrës apo kanë humbur jetën në momente nga më të ndryshmet dhe qysh prej zgjedhjeve të vitit 2005 është një institucion i cili gjithsesi ka hyrë në një rrugë ndryshe ku unë jam shpresëplotë se do të vazhdoj të ecë përpara, duke i qëndruar larg zjarreve që mbrapshtia e pushtetit ka ndezur në të shkuarën dhe që shpresoj që të mos ndezë edhe këtë rradhë për të përvëluar policinë e shtetit që e përsëris në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk duhet të bëhet pjesë e këtij ballafaqimi dhe ne nga ana jonë jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe të vullnetshëm që ta ruajmë të paprekshme.

Z. Rama, në fakt ju flisni për një protestë paqësore, por gjatë dy netëve më parë dhe gjatë ditës së djeshme janë shënuar dy incidente dhe më i rëndësishmi është ai i diegies sa flamurit të NATO-s. Do të keni një koment për këtë incident?

Do kisha uruar që redaksia juaj të mos kishte edhe paturpësinë që ta bënte këtë pyetje, pasi ka manipuluar me një copë blu, e cila nuk duket gjëkundi të jetë flamuri i NATO-s, sepse nuk bën vaki që në protestën e PS për transparencë, të cënohet një simbol i respektuar për të gjithë shqiptarët, flamuri i një organizate për të hyrë në të cilën ne kemi dhënë një kontribut të madh, në një përpjekje unike në historinë e politikës shqiptare të paktën deri sot për të krjuar konsensus dhe për të bërë reforma pikërisht që të hynim në NATO. Dhe mendoj që ai manipulim nuk i bënë aspak nder një televizioni kombëtar dhe për më tepër pastaj përpjekja për ta vizatuar si të degraduar në dhunë, përmes incidentesh banale, periferike, të paidentifikueshme, të gjitha si të lidhura me këtë protestë, sepse ju e dini më mirë se unë që media mund të bëjë plot çudira të kësaj natyre në rast se është e orientuar nga manipulimi dhe jo nga informimi, ndërkohë që bota mbarë e pa që 200 mijë njerëz erdhën në mënyrën më të kulturuar dhe u larguan në mënyrën më të kulturuar. Dhe në Tiranë nuk është shënuar asnjë dëm që të ketë të bëjë gjëkundi me përmasat e një protestë të tillë dhe as me çfarëdolloj fjale apo frymëzimi të përcjellë nga kjo protestë ku nuk është folur kurrë për tjetër send, përveçse për rezistencë paqësore. Sigurisht që mund të mos pëlqehet nga dikush nga disa, nga një pjesë. Çështje e lirisë së të menduarit secili e ka këtë të drejtë, por në asnjë nënyrë nuk mund të goditet me mjetet e ulëta të manipulimit, të deformimit të të vërtetës, të abuzimit me etikën e komunikimit.

Nga kancelaritë perëndimore a keni marrë mesazhe për sa i përket çëshjes së protestës, pasi disa herë ndërkombëtarët kanë artikuluar që hapja e kutive që ju kërkoni ta bëni, mund të zgjidhet nëpërmjet sistemit të drejtësisë?

Kjo është një çështje që shumë herë e diskutuar dhe shumë herë e ezauruar nga ana jonë. Të drejtën për të marrë frymë njerëzit e lirë nuk e kërkojnë në gjykatë. Kjo është një e drejtë për të marrë frymë e demokracisë, transparenca dhe është e garantuar në kushtetutën dhe në ligjin e republikës së Shqipërisë për hetimin parlamentar, i cili nuk mund të kushtëzohet në objektin e tij dhe nuk mund të kufizohet nga trysnia e pushtetit në shumicë. Përsa i përket kancelarive perëndimore ato shprehën në rrugë zyrtare dhe në mënyrë transparente.

FUND

KOMENTE