English

Organizohen sindikatat, Nikollaj: Të hënën nisim protestat

Tiranë, 02 Maj 2010 NOA/Blerina Ahmetaj – Ditën e hënë në Tiranë e rrethe do të nisin protestat e sindikatave në mbështetje të grevës së urisë së deputetëve socialistë.

Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), Kolë Nikollaj deklaroi sot se sindikatat e të gjitha profesioneve kanë vendosur t’i përgjigjen me protesta heshtjes së Berishës ndaj kërkesave ekonomike të tyre.

“Ka ardhur koha që qeveria e Berishës të përballet me lëvizjen sindikale. Ne kemi vendosur sot që të organizohemi me protesta jo pranë vendit ku janë ngujuar deputetët, por në pika të tjera të kryeqytetit dhe në rrethe. Kjo do të jetë përgjigja jonë e vetme”, u shpreh Nikollaj.

Një prej sindikatave, ajo e minatorëve ka theksuar se është e pakënaqur nga qëndrimi i qeverisë së Berishës ndaj kërkesave të tyre. Minatorët thonë se do të protestojnë kundër varfërisë në familjet e tyre në një kohë kur ministrat e kabinetit të Berishës abuzojnë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Ne nuk lëshojmë pe ndaj kërkesës sonë për uljen e moshës së pensionit”, - thanë sot minatorët dhe shtuan:

“Nuk tolerojmë që shokët tanë të vdesin pa marrë pensionin që u takon, në një kohë që ministrat e Berishës kanë një pagë mujore prej 1 milionë e 700 mijë të vjetra, dhe me shpenzimet e tyre mujore telefon dhe naftë i shkaktojnë një dëm të pallogaritshëm arkës së shtetit, në një kohë që minatorët marrin vetëm 85 mijë lekë të vjetra. Në një kohë kur fëmijët tanë nuk kanë bukë të hanë”.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë njihet si organizatë afër opozitës aktuale. KSSH është trashëguese e ish organizatës së punëtorëve në diktaturën komuniste.

b.a/r.n/NOA blerina.ahmetaj@noa.al

KOMENTE