English

Greva e urisë, Vasili: Shqetësohemi për shëndetin publik

Tiranë, 03 maj, NOA - Ministria e Shëndetësisë shprehet e shqetësuar për shëndetin publik, i cili sipas saj, po vihet në rrezik nga greva e urisë që po zhvillojnë prej disa ditësh, disa deputetë të opozitës dhe qytetarë.

Në një dalje për mediat, ministri Petrit Vasili deklaroi se nuk ka asnjë informacion për kushtet brenda ambienteve ku po zhvillohet greva e urisë pasi organizatorët e grevës nuk kanë lejuar shërbim shëndetësor brenda çadrave.

“Nuk kemi informacion për kushtet e grevës pasi s’kemi komunikim me organizatorët e grevës. Me aq sa ju kemi komunikuar ne kemi shërbim vetëm në terren dhe jo në ambientet e brendshme. Por ne kemi asistuar nga pikëpamja shëndetësore pasi jemi të preokupuar për shëndetin publik. Jemi gati të ofrojmë gatishmëri 24 orë dhe këtë e kemi bërë prej disa ditësh. Në ambientet pranë çadrave ku janë ngujuar grevistët kemi vendosur një ambulancë për të qenë gati në çdo rast”, tha Vasili.

Këtë deklaratë ministri Vasili e bëri gjatë një konference për mediat ku komunikoi urdhrin më të ri për ruajtjen e privatësisë së pacientit në shërbimin shëndetësor.

Vasili u kërkoi bluzave të bardha të shmangin nxjerrjen e të dhënave të cilat sipas urdhrit tashmë do të jenë kompetencë vetëm e mjekut kurues dhe në raste të vecanta e shefit të shërbimit.

Në ditën e tretë të grevës së urisë së deputetëve të opozitës e qytetarëve, gjendja shëndetësore paraqitet e qetë me përjashtim të rastit të deputetes Klodiana Spahiu e cila është dërguar mbrëmjen e së dielës në spitalin ushtarak për të marrë ndihmë mjekësore pas disa komplikacioneve që ka shfaqur në shëndet.

b.a/NOA

KOMENTE